Zgjedhjet lokale 2015

Mile: Liqeni i Ohrit duhet të ruhet për t’u kthyer në një muze të botës së gjallë

Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile, u takua me Kryetarin e Komunës së Strugës, Ziadin Sela, për të biseduar rreth projekteve të përbashkëta me qëllim rritjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit.

Gjatë bashkëbisedimit, Mile dhe Sela theksuan nevojën e bashkëpunimit për hartimin e projekteve të përbashkëta dhe përfshirjen edhe të sektorit privat dhe të shoqërisë civile në vendimmarrje dhe në hartimin e politikave zhvillimore.

Pas takimit, Mile theksoi nevojën e kapërcimit të pengesave burokratike dhe të rritjes së bashkëpunimit për t’i dhënë një zhvillim uniformë turzimit.

 “Vërtet natyra na ka falur këte perlë, por që ta shfrytëzojmë në favor të cilësisë së jetës së banorëve duhet të bashkëpunojmë në drejtim të një turizmi uniformë. Ndamë të njëjtin mendim që zhvillimi i metejshëm i turizmit, traditës vlerave kulturore të bëhet uniformë dhe në qëndër të tij të  jetë bashkëpunimi rajonal. I permenda z. Ziadin që Liqeni i Ohrit është i të gjithëve edhe pse jemi pjesë e dy shteteve fqinje. Na ndajnë kufijtë në hartë, por jemi shumë afër për të bashkëpunuar dhe për t’i dhënë së bashku zhvillimin uniformë turizmit që meriton të ketë e gjithë vija e Liqenit të Ohrit. Pra ato që unë kam parashikuar në programin tim u mbështetën dhe nga pjesa e përfaqësuesve përtej liqenit”, theksoi Mile.

Në takimin e përbashkët midis kandidates së ASHE për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile dhe Kryetarit të Bashkisë së Strugës, Ziadin Sela, u diskutua për heqjen e barrierave kufitare liqenore ndërmjet dy vendeve, zhvillimin e turzimit të përbashkët, ruajtjen dhe mbrojtjen e liqenit si dhe përfundimin e kanalizimeve.

Mile theksoi nevojën e zhvillimit të përbashkët të turizmit, ndërsa bëri të ditur dhe projektet për përfundimin e kanalizimeve “Duke qënë se dhe Pogradeci një pjese të mirë të të ardhurave i ka nga turizmi, do të ishte shumë me vlerë që turizmi të zhillohej në frymën e bashkëpunimit mes tre qyteteve. Ohri, por edhe Struga kanë një përvojë më të hershme në turizëm. Përfundimi i kanalizimeve do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm që do t’i shërbente qëllimit për një liqen të përbashkët. Pastërtia e liqenit është një tregues tepër i rëndësishëm në turizmin cilësor që kërkojnë turistët në ditët e sotme”, tha Mile.

Dy bashkëbiseduesit vlerësuan nevojën e ruajtjes dhe të mbrojtjes së liqenit duke e kthyer atë në një muze të botës së gjallë. Një tjetër çështje e diskutuar midis Diana Mile dhe Ziadin Sela ishte dhe gjuetia në liqen. “Përveç përfitimit që shumë familje pogradecare kanë nga gjuetia e peshkut, duhet të mendohet që kjo gjueti të bëhet me kriter”, tha më tej kandidatja e përbashkët e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button