Çavuşoğlu: Stabiliteti i Maqedonisë i rëndësishëm për tërë Ballkanin
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për tërë Ballkanin.
Çavuşoğlu mbajti një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Maqedonia, Nikolla Dimitrov, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Turqi.
“Me Maqedoninë kemi një miqësi dhe lidhje të forta që datojnë prej shekujsh. Kemi lidhje të forta të pavarura nga raportet politike. Por, dua të theksoj se edhe marrëdhëniet tona politike janë të mrekullueshme”, tha Çavuşoğlu.
Ai theksoi se Turqia është vend që e ka njohur Maqedoninë me emrin kushtetues që nga fillimi dhe se në dokumentet e NATO-s ka një fusnotë në të cilën thuhet se “Turqia e njeh Maqedoninë me emrin kushtetues”.
“Stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për tërë Ballkanin. Turqia ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi. Sepse Turqia i jep rëndësi stabilitetit të këtij rajoni. Ofron mbështetje për zhvillimin ekonomik të tij dhe nuk e sheh këtë rajon si një arenë konkurrimi”, tha kryediplomati turk.
Synim prej 1 miliard dollarësh në vëllimin tregtar
Çavuşoğlu tha se vitin e kaluar, tregtia mes dy vendeve ka arritur në 500 milionë dollarë, ndërsa për këtë vit është përcaktuar vlerë totale prej një miliard dollarësh në vëllimin tregtar reciprok. Ai tha duhet shfrytëzuar potenciali për arritjen e këtij qëllimi.
Ministri turk nënvizoi se firmat turke në Maqedoni kanë investime në vlerë prej 1,2 miliardë dollarësh dhe riafirmoi synimin për rritjen e vëllimit tregtar duke përdorur të gjitha mekanizmat aktualë, siç janë komisioni i përbashkët ekonomik dhe forumet e biznesit.
Në takimin me homologun maqedonas janë diskutuar po ashtu mënyrat për zhvillimin e raporteve edhe në fusha të tjera, si arsimi, kultura dhe industria e mbrojtjes.
“Bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë është shumë i rëndësishëm. Ne asnjëherë nuk do ta harrojmë mbështetjen që Maqedonia i dha Turqisë pas tentativës për grusht shteti. Megjithatë, FETO, ashtu si në çdo vend, përpiqet t’i helmojë raportet tona edhe në Maqedoni”, deklaroi Çavuşoğlu.
“Ka disa persona që kemi kërkuar nga Maqedonia për t’i ekstraduar në Turqi. Listën e këtyre personave ia dhashë edhe një herë sot mikut tim Nikolla. Ne jemi dakord për ta vazhuar bashkëpunimin midis njësive tona relevante. Edhe ne si ministra të jashtëm do të vazhdojmë t’i mbështesim ministritë dhe njësitë tona përkatëse. Siguria e Turqisë është e rëndësishme për Maqedoninë dhe Ballkanin. Siguria dhe stabiliteti i Maqedonisë janë shumë të rëndësishme për Turqinë dhe Ballkanin”, tha ministri i jashtëm turk Çavuşoğlu.
Para konferencës, dy ministrat nënshkruan “Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim në Fushën e Teknologjive Informatike dhe Arkivit Diplomatik”.