Çdo i dyti i rritur në Maqedoni pi duhan, mbi 4.800 denarë shpenzohen në muaj për cigare
Sipas anketës së "Analitiko", mbi 40% e të rriturve janë duhanpirës të rëndë, ndërsa 83% e qytetarëve e mbështesin ligjin anti-duhan që po vonohet në Kuvend.
Çdo i dyti i rritur në Maqedoninë e Veriut është duhanpirës, ndërsa një individ shpenzon mbi 4.800 denarë në muaj për cigare. Këto janë të dhënat e anketës së “Analitiko”, të cilat, siç njofton Alsat, tregojnë se shifrat e konsumit të duhanit po bëhen gjithnjë e më shqetësuese.
Sipas anketës, më shumë se dy të tretat e të miturve kanë qasje fare të lehtë në blerjen e duhanit, ndërsa mbi 40% e të rriturve konsiderohen duhanpirës të rëndë, me mbi 20 cigare të konsumuara në ditë. Njëkohësisht, 83% e qytetarëve e përkrahin ligjin anti-duhan dhe kërkojnë ndalimin e reklamave të duhanit, të pirjes së duhanit në vetura kur ka fëmijë dhe në vende publike.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend, Akim Ali, tha se cigaret duhet të shtrenjtohen dhe të bëhen të paarritshme për qytetarët, me taksa të larta akcize, në mënyrë që jo-duhanpirësit të mos ekspozohen ndaj tymit. “Njerëzit duhet të ndalen para se të marrin portofolet për të blerë cigare. Kjo është masa e parë. Së dyti, njerëzit që nuk pinë duhan nuk duhet të ekspozohen ndaj tymit, pa kompromis”, tha Ali, duke shtuar se të rinjtë nuk duhet të ekspozohen fare ndaj tymit të cigareve.
Tamara Spasovska nga programi “Analitiko” kërkoi që deputetët ta miratojnë urgjentisht ligjin anti-duhan. “Kemi mbështetje të madhe të jashtëzakonshme nga publiku për zbatimin e ligjit dhe e dimë se ligji është në lexim të dytë në Komisionin për Shëndetësi. Por në të vërtetë, nuk e dimë pse po vonohet kaq shumë, kur ligji ka nisur procedurën që para gati një viti”, tha Spasovska.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi se vazhdimisht kërkon që ligjit anti-duhan t’i jepet prioritet maksimal, megjithëse dhjetori është periudhë e ngarkuar në Kuvend me diskutimet për buxhetin. Sipas tij, pas miratimit duhet të vijë edhe zbatimi i ligjit.
Me projektligjin e ri për mbrojtjen nga duhani parashikohet ndalimi i plotë i pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura publike, pa asnjë përjashtim, si dhe vendosja e kufizimeve të rrepta për shitjen dhe ekspozimin e cigareve dhe të pajisjeve elektronike që përmbajnë nikotinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.