SHBA – WSJ: Trump përgatit tarifa të reja doganore ndaj Kinës dhe BE-së
UASHINGTON, 24 nëntor /ATSH-ANSA/- Administrata e presidentit Donald Trump po përgatitet të rrisë tarifat doganore ndaj Kinës dhe dhjetëra vendeve të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, me argumentin se këto shtete po dëmtojnë kompanitë amerikane duke mbështetur prodhimin e tyre industrial, bëri të ditur gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, e cila citon burime të njohura me çështjen.
Sipas raportimit, tarifat e reja lidhen me një hetim të nisur nga administrata amerikane mbi subvencionet industriale që ofrojnë Kina, Bashkimi Evropian dhe 14 vende të tjera për industrinë vendase.
Ende nuk është bërë e ditur se kur do të hyjnë në fuqi masat e reja dhe sa do të jetë niveli i tarifave.
Për Bashkimin Evropian dhe Japoninë, tarifat mund të arrijnë deri në 15% ose të jenë edhe më të ulëta.
Nisma e re mund të shtojë tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, në një kohë kur politika tarifore e administratës Trump po shkakton shqetësime në tregjet globale. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.