Shasivari i përgjigjet Ahmetit: çështja e jurisprudencës të shqyrtohet nga ekspertët evropianë
Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari thotë se çështja e provimit të jurisprudencës ka mbetur e pazgjidhur prej vitesh, pavarësisht se që nga viti 2001 në Ministrinë e Drejtësisë ka pasur tetë ministra shqiptarë nga radhët e BDI-së, dhe i kërkon Ali Ahmetit të mos e shpallë nismën paraprakisht degradim, tradhti apo manovër politike.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i është kundërpërgjigjur letrës së hapur të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për çështjen e provimit të jurisprudencës, duke thënë se kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur prej vitesh në Ministrinë e Drejtësisë, pavarësisht se që nga viti 2001 aty ka pasur tetë ministra shqiptarë nga radhët e BDI-së, siç njofton Alsat.
Shasivari e porosit Ahmetin që, në vend që ta shpallë paraprakisht këtë iniciativë si degradim, tradhti apo manovër politike, të lejojë që argumentet juridike të shqyrtohen nga institucionet kompetente dhe nga ekspertët evropianë të drejtësisë.
Sipas ministrit, nuk mundet që çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje sistemore të shpallet automatikisht si sulm ndaj të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Shasivari thekson gjithashtu se nuk do të lejojë që kjo çështje të bëhet objekt i garës partiake, as garë se kush ka kontribuar më shumë për të drejtat e shqiptarëve dhe as se kush ka më shumë të drejtë politike për të folur në emër të tyre.
Në fund, siç transmeton Alsat, ministri i rikujton Ahmetit se të gjitha vërejtjet e tij mund t’ua thotë përfaqësuesve të Komisionit të Venecias gjatë takimit të 27 nëntorit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.