CDU/CSU: “Program për stabilitetin dhe rigjenerimi”
Një program pas epokës së Merkelit: Gati 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, partitë qeverisëse aktuale, CDU/CSU paraqitën programin zgjedhor mes ndryshimit dhe vazhdimësisë.
“Gjermania është një shtet i fuqishëm.” Me këto fjalë hapet programi i përbashkët zgjedhor i partisë Kristiandemokrate, CDU dhe asaj Kristiansociale, CSU para zgjedhjeve parlamentare më 26 shtator. Në titull flitet për “programin e stabilitetit dhe rigjenerimit”. Markus Söder, kreu i CSU u shpreh, se “ky nuk është çfarëdolloj programi, por program për qeverisje”. Söder dhe kreu i CDU-së, Armin Laschet, të cilët u grindën ashpër me javë për kandidaturën për kancelar, e paraqitën në harmoni programin në Berlin të hënën (21.06). Madje disa herë Markus Söder e lëvdoi Amin Laschet.
Pas Merkelit
Bëhet fjalë për një program pas epokës së kancelares Merkel. Kryetarja për vite me radhë e CDU-së, që pas 16 vitesh largohet nga parlamenti, përmendet në këtë program me emër, por kur përmendet historia. “Me europianë të bindur si Konrad Adenauar, Helmu Kohl, Franz-Josef Strauß, Theo Waigel dhe Angela Merkel ne kemi formësuar bashkimin europian.”
Në 139 faqe partitë konservatore theksojnë vazhdimësinë e politikës së deritanishme, por edhe ndryshimet. Ato nuk duan rritje tatimesh, parashikojnë madje lehtësime për qytetarët. Kreu i CDU-së Armin Laschet u shpreh, se njerëzit presin një “hov modernizimi për Gjermaninë”. “Ne duam të jemi liderë në drejtim të teknologjive të reja.” Pikërisht këtij hovi duan t’i japin formë partitë e Unionit.
Digjitalizimi – Nocioni që bie në sy
Për të kuptuar prioritetet e programit të ndihmon kërkimi me nocione të ndryshme; kështu psh. nocioni “digjital” shfaqet në kontekste të ndryshme 196 herë, deri në “Ministrinë e Digjitalizimit” të përmendur dy herë. Nocioni “modern” shfaqet 112 herë në program, ai “social” 94 herë, “me drejtësi” 34 herë.
Më shumë punë dhe ekonomi se klima dhe familje
Përmes kësaj forme kërkimi mund të kuptosh, se tema e klimës nuk është dominuese. Më shpesh se nocioni “klimë” 91 herë, gjenden nocione të tjera si, “puna” 262 herë apo “ekonomia” 201 herë, “Europa” gjendet 138 herë, e më pak nocioni “familje”, 70 herë.
Unioni pranon objektivin final: Gjermania duhet të bëhet vend neutral në drejtim të klimës deri në vitin 2045. CDU/CSU dëshirojnë të zgjerojnë tregtimin e certifikatave të emetimit të CO2-it, por në program nuk përmendet ndonjë çmim konkret për certifikata të tilla. Laschet bëri fjalë për “mbrojtjen konsekuente të klimës me fuqi ekonomike dhe siguri sociale.”
Një e pesta e programit i kushtohet aspekteve të politikës së jashtme, globalisht e në nivel europian. Duke iu referuar Kinës dhe rreziqeve për të drejtën ndërkombëtare bëhet fjalë për “ndërrim epokash në nivel botëror”. Partitë CDU/CSU duan një “arkitekturë sigurie” strategjike të koordinuar më mirë dhe “aleancë të demokracive”. Ndër të tjera flitet edhe për partneritetin transatlantik dhe zgjerimin e ndjeshëm të shkëmbimit me SHBA në “nivel shoqëror”, për NATO-n si “bashkësi vlerash dhe aleancë të sigurisë”, për lidhjen me Izraelin.
Më shumë Europë
Duke iu referuar Europës, Unioni CDU/CSU kërkon “më shumë Europë në politikën botërore” dhe përmend edhe njeherë vendin e përhershëm në Këshillin e Sigurmit të OKB. Edhe në shtjellimet për çështjen e Europës përmendet tema e klimës dhe qëndrueshmëria, por ky është një aspekt ndër mjaft të tjerë. Më me hollësi në rubrikën Europë flitet për temën e migracionit, ku kërkohet që ai të kontrollohet me “efektivitet” si edhe reformim i thellë i politikës së azilit dhe refugjatëve.
Pak Bavari për Bavarezët
Si në programet e mëparshme elektorale, edhe në këtë program, partia e vogël CSU, në fakt një parti rajonale bavareze dëshiron të miratojë krahas programit të Unionit edhe një “plan të Bavarisë”. Por këtu nuk bëhet fjalë për “kundërshti”, tha Söder, por për “përthellime” dhe “shtojca”. CSU në temën tradicionale të pensionit për nënat kërkon të shkojë më larg se CDU, marrjen në konsideratë edhe të fëmijëve të lindur para vitit 1992. Përfaqësuesit kryesorë të CDU/CSU në prezantimin e programit ishin luftarakë. “Ne do ta tundim Gjermaninë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i CDU, Markus Blume. Kurse kreu i CSU, Markus Söder bëri të qartë, se kundër cilës parti drejtohet fjala e tij. “Gjermanët nuk u besojnë Të Gjelbërve postin e kancelarit”, tha ai. Të Gjelbrit kanë “shumë ide, por pak përvojë.”