Çela: Kanë nënshkruar aktmarrëveshje 203,427 abonentë
Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike, Adrian Çela bëri të ditur të mërkurën se nga dhjetori kur ka hyrë në zbatim skema lehtesuese e pagesave me këste dhe ulja e kamatës me 80%, kanë nenshkruar aktmarrëveshje 203,427 abonente.
Gjatë një konference për shtyp, Çela tha se 122,702 prej tyre kanë përfituar nga ulja me 80% e kamatevonesave duke likujduar shumën e plote të detyrimit menjehere. Ndërsa rreth 80 mijë abonentë kanë lidhur aktëmarreveshje për ta paguar me këste, nga të cilët 13 mijë të klasifikuar ne skemen e ndihmes ekonomike kane perfituar nga skema lehtësuese.
Vetëm në muajin shkurt, tha ai, kemi mbi 80 mijë aktëmarrëveshje të lidhura. Sipas Çelës, në total, vlera e aktëmarrëveshjeve të lidhura është diku te 37.8 miliardë lekë, ku 28 miliardë lekë i takojnë aktëmarrëveshjeve për pagesat me këste.
Por kreu i OSHE-së u bëri aple qytetarëve që që të respektojnë afatet e vendosura si kusht në marrëveshjet e nënshkruara për pagesën me këste. Në të kundërt, theksoi ai, do të dalin nga skema dhe do t’u pritet energjia elektrike.
Gjithashtu, sqaroi Çela, të ashtëquajturat “mbifaturime”, nuk janë gjë tjetër veçse energji e pamatur, e cila është një energji e konsumuar nga qytetari në shtrirje të gjatë kohore. “Sot konsiderohet debi dhe qytetarit nuk i kërkohet ta paguajë menjeherë, por i ofrohet skema lehtësuese e pagesës me këste”, tha ai.
Lidhur me pagesat në pikat postare, kreu i OSHEE-së, tha se kush pretendon se ka paguar me postë, por rezulton në sistemin e OSHEE, të bëjnë ankesë në drejtoritë dhe agjencitë e OSHEE-së, duke patur me vetë librezën dhe mandatpagesën. Askush nuk do të paguajë dy herë, dhe askujt nuk i pritet energjia deri në sqarimin e ankesës.
Nga ana tjetër, Çela bëri të ditur se shoqëria nuk ka reshtur betejën me abuzuesit, ku falë kontrolleve, edhe në bashkëpunim me policinë e shtetit, u është ndërprerë energjia elektrike në 191 mijë raste.
“OSHEE ka marrë masa për të lehtësuar pagesën, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe të kohës! Është e vërtetë që ka fluks, dhe kjo vjen natyrshëm kur kemi të bëjmë me qindra mijëra debitorëve që për vite nuk paguan dritat dhe sot po kujtohen ta bëjnë një gjë të gjithë”, tha ai, duke shtuar se OSHEE ka hapur mbi 50 pika dhe sportele të reja në të gjithë vendin.
Gjatë fjalës së tij kreu i OSHEE-së bëri të ditur se janë nënshkruar marrëveshje me shoqëri private të sigurta, ku mund të paguhet fatura e dritave. Aktualisht, vijoi ai, kemi marrëveshje me 3 shoqëri, si me ato të pikave të transfertave të parave, por edhe me anë të celularit. Shumë shpejt, tha Çela, do të bashkohen të tjerë shoqëri, ku do tu jepet mundësia të gjithëve ta paguajnë kudo që ndodhen. Sipas tij, që prej datës 12 shkurt, janë kryer 5990 pagesa me anë të pikave të transfertave të parave dhe celularit, me vlerë 15.6 milionë lekë (15,641,064 lekë). Nga të dhënat bëri të ditur kreu i OSHEE-së, në tre ditët e fundit kemi një rritje me 33% të fluksit të këtyre pagesave.
“Kanë mbetur edhe 3 ditë mundësi t’ju përgjigjur apelit tonë të nisur në nëntor 2014, për pagesën me këste. Për ata që duan të paguajnë faturat, për të shmangur fluksin, t’i drejtohen postës, bankës si dhe pikave të transferetave të parave, të cilat ndodhen në çdo qytet të vendit”, deklaroi Çela.