Politika

Çelja e negociatave/Rama: Garantojmë ecurinë e mëtejshme të reformave në ndërtimin e Shqipërisë Europiane

“Ajo që ne na takon është të bëjmë gjithçka që ne kemi në dorë dhe të garantojmë ecurinë e mëtejshme të reformave, pasi të gjitha ato që kërkohen nga Bashkimi Europian, ne nuk i bëjmë për BE-në, por i bëjmë për të ardhmen e vendit tonë dhe fëmijëve tanë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi, i cili ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Lidhur me procesin e integrimit, Kryeministri siguroi se “Shqipëria do të bëjë të njëjtat gjëra që do të bënim edhe po të ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar”.

“Kemi ndarë së bashku pikëpamjet lidhur me çfarë ka ndodhur në fund të vitit të shkuar dhe çfarë mund të presim nga ky vit. Në këtë aspekt, Shqipëria do të bëjë të njëjtat gjëra që do të bënim edhe po të ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “do t’i bëjmë këto me shumë vendosmëri, sepse kjo për ne është e vetmja rrugë, pavarësisht arritjes ose mosarritjes së konsensusit brenda Këshillit Europian për të marrë vendimin formal për hapjen e negociatave”.

Ai theksoi se “nëse ka një arsye madhore për të qenë krejtësisht të përfshirë në këtë proces dhe për t’i bërë të gjitha këto detyra, kjo arsye është përputhshmëria e plotë e këtyre objektivave të vendosura në procesin e integrimit europian me nevojën që vendi ka dhe që fëmijët tanë kanë për nesër.

“Kështu që vendimin do ta marri Këshilli Europian, por sido që të jetë vendimi ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, të ecim sa më shpejt dhe me sa më shumë rezultate në ndërtimin e Shqipërisë Europiane”, tha Rama.

I pyetur lidhur me qëndrimin e Francës, Rama tha se “ju e dini shumë mirë që kjo nuk është një çështje e lidhur drejtpërdrejtë me Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut, por është një çështje e lidhur me një diskutim të brendshëm në BE lidhur me metodologjinë e zgjerimit”.

“Dhe ajo që përbën një arsye për t’u ndjerë të inkurajuar është pikërisht qasja e Komisionerit lidhur me jo vetëm nevojën, por edhe me krijimin e kushteve për të adoptuar dhe pranuar të gjithë së bashku një metodologji më të përshtatshme, si rezultat i së cilës, përveçse të tjerave mund të mendohet e arsyeshme edhe përfshirja e Francës në vazhdimin e procesit. Por sigurisht që ky është një proces i brendshëm”, tha Rama.

Kryeministri tha se ka informuar Komisionerin për ecurinë e të gjitha proceseve, të  reformës në drejtësisë në radhë të parë si dhe “për iniciativën e re që do të aktivizojmë në ditët në vijim”.

“Jemi duke përfunduar diskutimet edhe me ekspertizën ndërkombëtare për të hapur një ofensivë shembullore kundër krimit të organizuar dhe eksponentëve të krimit si dhe kundër atyre gjyqtarëve e prokurorëve që si në rastin fare të freskët para dy ditësh, i përkasin organizatës “KÇK” dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme mes sistemit të vjetër që po shembet dhe atij të ri që po ndërtohet nga reforma, për të bashkëpunuar hapur dhe paturpësisht me krimin”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button