Çfarë ndodhi me “cunamin” blu të demokratëve?
Mësimi i zgjedhjeve të mesit të mandatit ishte se, ky është realiteti ynë politik i pakapërcyeshëm. Demokratët mund të fitojnë disa beteja, por nuk e kanë fituar luftën. Dhe nuk ka siguri që do e fitojnë ndonjëherë.
Dallga blu? Po çfarë dallge?
Po, demokratët morën kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e të martës. Kjo është fitore. Sidomos kur mendon për mbikëqyrjen prej demokratëve të degës ekzekutive dhe Shtëpisë së Bardhë – duke përfshirë, edhe kompetencën e thirrjes së presidentit për të dëshmuar.
Kjo është e madhe. Eshtë e rëndësishme.
Por shikoni përtej disa garave për Kongresin, dhe është e qartë se nuk kemi një cunam që vërshon nëpër Amerikë, që të rrëzojë pushtetin republikan nga bregu në breg, me një ngjitje të fortë të kundërshtisë ndaj partisë së presidentit.
Ose, edhe nëse ka patur një të tillë, kësaj i është kundërvënë një kundër-mësymje nga e djathta, që ishte mjaftueshëm e fortë për ta topitur. E thënë disi më ndryshe: Pjesëmarrja ishte shumë e madhe për zgjedhje të mesit të mandatit, por ishte e madhe nga të dy krahët. Dallga blu ndeshi në një dallgë të kuqe, më të vogël por sërish e konsiderueshme në përmasë. Demokratët përfunduan me një fitore domethënëse në Kongres. Por ata humbën disa vende në Senat – për të mos përmendur disa humbje të dhimbshme në garat për guvernatorë, në shtete kritike si Ohio dhe Florida.
Historia e këtyre zgjedhjeve nuk ishte aspak ajo e një dige që çahet dhe vërshon mbështetja për demokratët. Përkundrazi, historia është e njëjta me të cilën amerikanët janë përballur, qysh prej zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000, dhe me shumë më tepër intensitet, qysh prej fitores së Donald Trumpit dy vjet më parë: SHBA është një komb i ndarë më dysh.
Konturet e sakta të ndarjes u bënë të qarta të martën. Demokratët fituan thellë në pothuaj çdo qytet, dhe arritën të depërtojnë në jo pak rrethina. Por zonat rurale janë tashmë republikane. Kjo është e vërtetë pothuaj kudo – më veri, jug, lindje dhe perëndim. Me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë që ofron jo pak provokim, kjo u përkthye me shumë distrikte që i dhanë demokratëve një shumicë të vogël por solide. Por, gjithashtu vendos shumë shtete me popullsi relativisht pak të dendur, në duar të republikanëve.
Beteja mes këtyre fraksioneve arkitektonike urbane-rurale ka formësuar politikën amerikane për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit, dhe ajo do të vazhdojë dhe intensifikohet. Kongresi do i qepet presidentit, i nxitur prej zemërimit të votuesve demokratë, që nuk e durojnë dot. Por Trumpi do të stërvisë zemërimin e tij ndaj Kongresit, duke e mbajtur bazën republikane në një gjendje agjitimi partiak, teksa vendi përgatitet për garën presidenciale të 2020. Dhe ndërkohë Shtëpia e Bardhë dhe Senati do të vazhdojnë të emërojnë gjykatës konservatorë në gjykatat federale, duke siguruar më shumë besnikëri për votuesit republikanë.
Nuk ka rrugëdalje në horizont, nga mllefi dhe përçarja e dy viteve të fundit. Nuk ka qetësi pas kakofonisë. Nuk ka pushim në bllokadën mes të majtës dhe të djathtës. Nuk ka një zgjedhje përfundimtare për përplasjet që përcaktojnë jetën politike në SHBA. Nuk ka shenjë se një shumicë e fortë dhe e vendosur, e ka sprapsur presidentin Trump dhe politikën e helmit që ai praktikon dhe nxit. Kemi ngecur në vend.
Demokratët dolën mirë të martën. Por lufta e llogoreve do të vazhdojë. Betejat politike do të vazhdojnë. Presidenti do të vazhdoj të përdorë më të keqen e së kaluarës dhe të tashmes, të vendit tonë – sepse për të funksionon. Dhe kjo ka rëndësi për ta.
Mësimi i zgjedhjeve të mesit të mandatit ishte se, ky është realiteti ynë politik i pakapërcyeshëm. Demokratët mund të fitojnë disa beteja, por nuk e kanë fituar luftën. Dhe nuk ka siguri që do e fitojnë ndonjëherë. / Me shkurtime nga “The Week”