Bota

Çfarë u arrit në takimin Xi-Putin në Moskë?

Por, çfarë realisht rezultoi nga takimi?

Në mbrëmjen e 21 marsit, Xi dhe Putin e kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, pas bisedimeve që kanë zhvilluar në Kremlin, e në të cilat është trumbetuar “roli pozitiv” i Kinës dhe “pozicioni objektiv” i saj për luftën e Rusisë në Ukrainë. Dy liderët kanë prezantuar një mori marrëveshjesh, në të cilat janë detajuar planet për lidhjet ekonomike të së ardhmes dhe bashkëpunimi më i ngushtë mes mediave shtetërore të të dyja palëve. Në këtë takim është kritikuar edhe Perëndimi, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

Nuk është harruar as pakti i ri për mbrojtje – AUKUS – në mes të Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Mirëpo, bisedimet nuk kanë rezultuar me marrëveshje vendimtare për çështje ekonomike dhe ndihmën që do t’i duhej Moskës për ta përballuar presionin e sanksioneve ekonomike, duke vënë kështu në pah mbështetjen e kufizuar të Kinës, dhe rritjen e çekuilibrit në mes të të dyja shteteve, e i cili i shkon për shtati Pekinit.

“Synimi i Xi-së në këtë udhëtim ka qenë ruajtja e status quo-së me Rusinë, dhe jo lëvizja, as edhe një metër më afër, apo hapja e rrugës për bashkëpunim të ri”, ka shkruar Yu Jie, hulumtuese e lartë për Kinën në Institutin Chathan House, me bazë në Londër.

Rezultatet e samitit

Takimi i Xi-së në Rusi, ka qenë i pari prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit 2022. Përmes vizitës, Xi ka mëtuar të tregojë se pavarësisht jostabilitetit ndërkombëtar dhe turbulencave të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, Pekini është i vendosur të qëndrojë në anën e Moskës. Xi ka vazhduar që në heshtje të mbështesë qëndrimin e Putinit për luftën, dhe dy liderët kanë folur për epokë të re të lidhjeve bilaterale, që, sipas tyre, do të ndryshojë gjeopolitikën globale. “Tani për tani ekzistojnë ndryshime të llojit që nuk i kemi parë në 100 vjet”, i ka thënë Xi, Putinit, pas darkës së 21 marsit.

“Dhe ne, së bashku, jemi duke çuar përpara këto ndryshime”. Mirëpo Xi nuk ka bërë hapa konkretë në mbështetjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe në vizitë nuk janë realizuar disa plane të mëdha të Moskës. Ndër më të rëndësishmet, Pekini e ka lënë pezull konfirmimin e planeve për gazsjellësin, Fuqia e Siberisë 2 – një projekt rus që synon të ridrejtojë eksportet nga Evropa në Azi, përkatësisht përmes Mongolisë në Kinë.

Në disa komente publike më 21 mars, Putin e ka përmendur gazsjellësin, thuajse është arritur një marrëveshje për të me palën kineze, duke thënë se “praktikisht të gjithë parametrat e marrëveshjes janë finalizuar”.

Pas bisedimeve me Xi-në, Putin ka thënë se Mongolia e ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për Fuqinë e Siberisë 2, dhe se Rusia është zotuar për të furnizuar Kinën me të paktën 98 miliardë metra kubë të gazit natyror këtë vit. Megjithatë, këto shifra do të mund të realizohen vetëm nëse ec përpara projekti i një gazsjellësi të ri, për të cilin Xi ka qenë i heshtur në takim.

Në deklaratën e përbashkët nga vizita, vetëm është thënë se Kina dhe Rusia, “do të bëjnë përpjekje për të avancuar punën në studimin e miratimin” e planeve për të ndërtuar gazsjellësin. “Kompanive u janë dhënë urdhra për të analizuar projektin në detaje dhe ta nënshkruajnë atë në periudhën më të shkurtër të mundshme. Urdhrat janë marrë për të garantuar se do të përmbushen kushtet”, ka thënë zëvendëskryeministri rus, Aleksandr Novak, para gazetarëve. “Shpresojmë se kjo do të ndodhë këtë vit”.

A ka pasur përparim në planin për paqe në Ukrainë?

Para vizitës, vëmendja është fokusuar në atë nëse Xi mund ta shtyjë Putinin drejt një armëpushimi në Ukrainë, dhe nëse propozimi i Kinës, për t’iu dhënë fund armiqësive – i cili është bërë publik në fund të shkurtit – do të shërbejë si bazë e mirë për t’i dhënë fund luftës. Mirëpo tani, pas përfundimit të takimit në Moskë, paqja në Ukrainë duket po aq larg sikurse më parë. Putin ka thënë se është i hapur për diskutuar planin e Kinës për dhënie fund të luftës, mirëpo suksesi i dokumentit varet nga shtetet perëndimore dhe gatishmëria e Kievit për ta diskutuar atë.

Plani 12-pikësh i Kinës është hedhur poshtë nga Perëndimi, sepse nuk përmend në mënyrë specifike thirrjet që Rusia të largohet nga Ukraina.

Ky plan, po ashtu, interpretohet si përpjekje për të ngrirë konfliktin, sipas kushteve të Moskës. Kina ka hezituar që t’i ndihmojë Rusisë në fushëbetejë, pavarësisht paralajmërimeve të Uashingtonit që Pekini është duke e konsideruar ndihmën ushtarake. Në deklarimin e tyre të përbashkët, Xi dhe Putin kanë përmendur temat tashmë të njohura për publikun dhe kanë paralajmëruar “kundër praktikës së një shteti, apo një grupi shtetesh, për të përfituar në aspektin ushtarak, politik apo në fusha tjera, në dëm të interesave të shteteve tjera”.

Kjo deklaratë besohet se ka qenë referencë kundër zgjerimit të NATO-s dhe që Perëndimi është përgjegjës për përshkallëzim të luftës.

Kievi ka qenë skeptik për propozimin kinez dhe ka insistuar që Rusia të tërheqë ushtrinë e saj nga territori ukrainas, si parakusht kryesor për të biseduar, ndonëse zyrtarët më të lartë ukrainas kanë qenë të kujdesshëm me Pekinin, prej kur ka nisur lufta. Xi nuk ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, prej nisjes së luftës, ka raportuar gazeta amerikane The Wall Street Journal, para vizitës së Xi-së në Rusi, mirëpo që një bisedë telefonike mund të ndodhë shpejt. Vetë Zelensky ka thënë më 21 mars se “nuk ka ende konfirmim” për bisedë të mundshme telefonike me Xi-në.

A i ka ndryshuar takimi lidhjet mes Kinës dhe Rusisë?

Përtej mikpritjes me tepih të kuq, Pekini është duke ecur nëpër një litar diplomatik kur është fjala për luftën në Ukrainë, e cila e ka bërë Perëndimin më të bashkuar sesa ka qenë në vjetët e fundit, por edhe i ka tensionuar lidhjet me Pekinit me dy partnerët kryesorë tregtarë: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Qëllimi kryesor i vizitës ka qenë që të tregojë se Kina është ende duke investuar në lidhjet me Rusinë, dhe se lufta në Ukrainë nuk e ka ndryshuar bazën e marrëdhënieve të tyre.

Si shenjë mbështetjeje, Xi e ka ftuar Putinin që të shkojë në Kinë “në një kohë të përshtatshme” këtë vit. Mirëpo vizita edhe e ka vënë në pah kufirin në marrëdhëniet e tyre, dhe ka treguar se Kina nuk është e përgatitur që t’ia ofrojë Rusisë atë lloj të mbështetjes që do t’i rrezikonte interesat e saj.

Pekini e ka krijuar një linjë jetike për ekonominë e Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë, meqë marrëdhëniet tregtare bilaterale kanë prekur një rekord prej 190 miliardë dollarëve më 2022. Valuta kineze yuan, po ashtu, mund të bëhet valuta kryesore e huaj në Rusi, meqë Moska sa shkon e bëhet më e varur nga Kina, të cilën e sheh si treg kryesor për energjinë e saj. Tani për tani, dinamika mes dy vendeve është në duart e Kinës.

Më 2014, kur Moska është përballur me sanksione, pas aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë, Pekini ka arritur të negociojë një marrëveshje me çmim të ulët për t’u furnizuar me gaz prej Rusisë.

E njëjta mund të ndodhë sërish. Nevoja e Rusisë për të gjetur blerës të energjisë së saj, mund të rezultojë me marrëveshje me Kinën, por sipas kushteve që i cakton kjo e fundit. Pavarësisht rritjes së disbalancit të fuqive dhe varësisë ekonomike, Xi ka arritur ta trajtojë Putinin si të barabartë, dhe ekspertët besojnë se lideri kinez e sheh Rusinë si partnere të rëndësishme në “luftën” me Shtetet e Bashkuara, në të ardhmen.

Kjo nënkupton që marrëdhëniet e tyre do të formësohen më shumë nga qëndrimi i njëjtë që e kanë për Uashingtonin, sesa për shumëçka tjetër, dhe se synimi kryesor i Kinës është që ta mbajë Moskën afër vetes dhe ta parandalojë skenarin që Moska të bëhet aq e dobët nga lufta në Ukrainë, saqë t’i nënshtrohet presionit të Perëndimit.

Me këtë qëndrim pajtohen edhe hulumtuesit e lartë të politikave të jashtme të Kinës.

Yang Jiemian, humumtues me ndikim për politika të jashtme, dhe udhëheqës i Këshillit Akademik në Institutin e Shangait për Studime Ndërkombëtare, ka thënë në një vlerësim të muajit shkurt se nëse “Rusia dobësohet deri në pikën sa të mos mund të përballet me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin, atëherë diçka e tillë e lë Kinën të vetme në përballje me rrethana strategjike krejtësisht të pafavorshme”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button