Çfarë zbuloi shkenca në vitin 2014?
Nga ulja në një kometë tek autopsia e mbretit Tut, viti 2014 pati disa nga zbulimet më fantastike. Ja cilat ishin momentet më të mira të shkencës së vitit 2014, të cilat i sollën historisë nuanca të tjera
Zbulimet që mbajnë në datën e tyre vitin 2014, qenë të shumta këtë vit. Ato i sollën njerëzimit më shumë shpresë për eksplorimin e kozmosit, por edhe për zbulimin e kurave për sëmundjet vdekjeprurëse.
Shkencëtarët zbuluan prova që sugjerojnë se një herë e një kohë ka pasur jetë në Mars. NASA lajmëroi më 16 dhjetor, se misioni i saj në Mars, zbuloi në atmosferën e tij metan. Gazi është shumë i lidhur me jetën në Tokë.
Anija kozmike Orion e NASA-s bëri një zbritje ujore në Oqeanin Paqësor më 5 dhjetor, pas një udhëtimi dramatik prej 3600 miljesh nga Toka. Testi i suksesshëm i kapsulës hapi një epokë të re për eksplorimin hapësinor njerëzor dhe shënoi hapin e ardhshëm drejt dërgimit të njerëzve në Mars.
Teksa kërkonin ndër fosilet e mbledhura në Indonezi në fund të viteve 1800, kërkuesit hasën në një dizajn zigzag mbi një molusk që besohet se daton 430 000 deri në 540 000 vjet më parë – duke e bërë atë shembullin më të hershëm të artit. Zbulimi u përshkrua në revistën “Natyra” të datës 3 dhjetor.
I humbur prej pesë shekujsh, mbetjet kockore të mbretit britanik Rikardi III, u zbuluan në Leicester. Shkencëtarët thanë se përmes analizave, u zbulua se skeleti ishte vërtet i mbretit mesjetar.
Një zbulim i ri tregoi se virusi AIDS po bëhet më pak i fortë, duke sugjeruar se AIDS-i mund të jetë në zhdukje e sipër në shkallë globale. Shkencëtarët i publikuan zbulimet e tyre në një revistë shkencore.
Më 12 nëntor, anija kozmike “Rosetta” e Agjencisë Hapësinore Europiane, vendosi me sukses robotin e saj në kometën 67P. Kjo ishte e para ulje e këtij lloji.
Shkencëtarët arritën komunikimin tru me tru mes njerëzve. Në një studim të publikuar së fundmi, kërkuesit treguan sesi sinjalet mund të transmetohen nga truri i një personi nëpërmjet internetit dhe mund të përdoren për të kontrolluar lëvizjet e dorës së një personi tjetër – e gjitha kjo brenda një sekonde.
Pas dekadash kërkime, hulumtuesit lajmëruan se ata kishin gjetur atë që mendohet të jetë një copë e avionit të Amelia Earhart në Nikumaroro, një ishull i pabanuar në Oqeanin Paqësor rreth 2000 milje në veriperëndim të Havait. Earhart dhe avioni i saj humbën më 1937-n.
Një “autopsi virtuale” e mbretit Tutankhamun – një analizë nga afër e një imazhi real të mbretit e bërë nga më shumë se 2000 skanime të skeletit të tij të mumifikuar – zbuloi se ai kishte dhëmbë të dalë, këmbë të lakuara dhe një imazh vajzëror.
Njihuni me një prej krijesave më gjigante që ka ecur ndonjëherë në planet. Shkencëtarët kanë zbuluar Dreadnoughus schrani, një dinozaur aq i frikshëm, saqë e mori emrin nga një betejë ikonë e shekullit 20.
Më 3 shtator, astronomët zbuluan një hartë të re të kozmosit që rilokalizoi në “Rrugën e Qumështit”, një grup të madh galaksish të quajtura “Laniakea”, që do të thotë “qiej të mëdhenj”. Diametri i galaksive është 520 milionë jetë dritë në diametër.
Shkencëtarët në Skoci krijuan një organ të plotë funksional nga brenda trupit të një kafshe. Lajmi u publikua më 24 gusht dhe theksuan se është i pari i llojit të vet.
Një studim i publikuar më 1 janar 2014, tregoi se roli i reve në ndryshimet klimatike është nënvlerësuar. Si rezultat, temperaturat mund të rriten me 4 gradë Celsius në vitin 2100.
Shkencëtarët lajmëruan në marsin e vitit 2014, se kanë zbuluar virusin më të madh të njohur ndonjëherë, i cili u rigjallërua nga një mostër 30000-vjeçare e ngrirë në tundër.
Hulumtimet kanë treguar se një e pesta e zonave të mbrojtura nga UNESCO, do të ndikohen nga nivelet në rritje të deteve këtë shekull, nëse temperaturat rriten me 3 gradë Celsius.
Një bio-inxhinier i Stanfordit, shpiku një mikroskop 50 centimetërsh që mund të zmadhojë rreth 2000 herë.
Shkencëtarët nga Kolegji Universitar i Londrës zbuluan se ngrënia e shtatë ose më shumë porcioneve fruta dhe perime në ditë, pakëson rrezikun e vdekjes me 42 për qind, krahasuar me ata që hanë më pak se një sasi frutash dhe perimesh.
Kërkuesit lidhën çajin jeshil me funksionet konjitive, veçanërisht me kujtesën, duke sugjeruar një trajtim të mundshëm të atyre që vuajnë nga humbja e kujtesës prej moshës.
Hulumtuesit e kancerit kanë zbuluar se cigaret elektronike, mund të nxehen aq shumë, saqë edhe ato prodhojnë disa substanca kancerogjene si cigaret e tjera.
U krijua universi i parë virtual më realist, i cili kthehet pas në 13 miliard vjet të evolucionit të kozmosit.
*Burimi: Huffington Post