CGO: Etika parlamentare pa përgjegjësi — 11 vjet, pesë denoncime dhe asnjë sanksion
Analiza e re e Qendrës për Arsim Qytetar tregon se mekanizmi i përgjegjësisë etike të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi ekziston vetëm në letër dhe nuk funksionon në praktikë
Më shumë se njëmbëdhjetë vjet, dy Kode Etike, pesë denoncime dhe asnjë sanksion i shqiptuar — ky është bilanci i sistemit të përgjegjësisë etike të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi, tregojnë gjetjet e analizës së re të Qendrës për Arsim Qytetar (CGO) “Etika parlamentare pa përgjegjësi”, shkruan Vijesti.
“Që nga miratimi i Kodit të parë Etik të deputetëve në dhjetor 2014 e deri në fund të vitit 2025, asnjë denoncim nuk ka çuar në një vendim meritor nëse Kodi është shkelur, ndërsa që nga viti 2017 nuk është paraqitur asnjë denoncim i ri. Kjo nuk është tregues i një etike parlamentare të patëmetë, por paralajmërim se mekanizmi që ekziston në letër nuk funksionon në praktikë”, thuhet në kumtesën e CGO-së.
Asistentja e projekteve në CGO, Milica Borozan, tha se gjatë periudhës së vëzhguar nuk kanë munguar situatat që kanë ngritur çështjen e përgjegjësisë etike të deputetëve. Sipas saj, janë regjistruar incidente që vetë Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë i ka përshkruar si agresive, të dhunshme dhe të papërshtatshme, komunikim fyes, si dhe deklarata që kanë ngritur pyetjen e gjuhës diskriminuese dhe homofobike.
Problemi, ndër të tjera, qëndron te mbyllja e sistemit, pasi përgjegjësia etike e deputetëve i lihet pothuajse ekskluzivisht vetë deputetëve për vlerësim, thekson Borozan. Qytetarët, mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe punonjësit e Kuvendit nuk mund të paraqesin denoncim drejtpërdrejt, ndërsa për përgjegjësinë vendosin kolegët e deputetit të denoncuar në një komision të përbërë politikisht.
Analiza tregon se Kodi i vitit 2019 e hoqi bllokadën procedurale për shkak të së cilës pesë denoncimet e viteve 2015 dhe 2016 nuk u shqyrtuan, por nuk e zgjidhi problemin thelbësor. “Nga viti 2017 deri në fund të 2025-ës nuk është paraqitur asnjë denoncim i ri, kështu që sistemi kaloi nga faza ku nuk mund të vendoste as kur kishte denoncim, në fazën ku mekanizmi nuk aktivizohet fare”, thuhet në analizë.
CGO rekomandon ndryshimin e Kodit Etik të deputetëve përmes përcaktimit të saktë të koncepteve kyçe dhe katalogut të shkeljeve, kritereve të qarta për vlerësimin e peshës së tyre, një spektri më të gjerë pasojash proporcionale, si dhe zgjerimit të rrethit të atyre që mund të paraqesin denoncime. Sipas organizatës, në procesin e vendimmarrjes duhet futur një element i pavarur profesional, dhe Kodi Etik nuk guxon të mbetet “dokument i harruar”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.