Kabineti i Millatoviqit: Heqja e kontributeve pensionale rrezikon qëndrueshmërinë e pensioneve dhe financave publike
Kabineti i presidentit Jakov Millatoviq thotë se, ndryshe nga shëndetësia, pensionet bazohen në lidhjen mes punës, pagës dhe kontributeve, ndaj Qeveria duhet të paraqesë një model të qëndrueshëm financimi për dekadat në vijim.
Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka paralajmëruar se heqja e kontributeve për sigurimin pensional ngre pikëpyetje për ruajtjen e pensioneve në të ardhmen dhe për qëndrueshmërinë e financave publike, siç njofton Tv Boin.
Sipas kabinetit, heqja e kontributeve shëndetësore dhe ajo e kontributeve pensionale janë dy ndryshime të ndryshme, me pasoja të ndryshme ekonomike e institucionale. Ndryshe nga shëndetësia, ku e drejta është e barabartë pavarësisht shumës së paguar, sistemi pensional bazohet në lidhjen punë–pagë–e drejtë pensioni: kush ka paguar më shumë, përfiton pension më të lartë.
Heqja e plotë, thekson kabineti, nuk nënkupton domosdoshmërisht shkëputjen e kësaj lidhjeje, por kërkon përgjigje se si do të ruhen të drejtat pensionale afatgjata dhe si do të financohen pensionet për dekadat në vijim, jo vetëm për vitet e ardhshme. Ulja apo heqja e kontributeve mund të rrisë pagat neto menjëherë, por duhen marrë parasysh detyrimet dhe kostot afatgjata.
Kabineti kërkon nga Qeveria një model të qëndrueshëm, të paraqitur qartë, që ruan lidhjen mes punës dhe pensionit dhe stabilitetin e financave publike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.