Chris Pratt në shënjestër të Jennifer Lawrence: Nuk ishte puthja ime e preferuar

Aktorja e njohur Jennifer Lawrence ka bërë një renditje të puthjeve më të mira dhe më të këqija që ka shkëmbyer me kolegët e saj gjatë xhirimeve të filmave.
Gjatë një interviste në emisionin “Watch What Happens Live” të Andy Cohen, ku ishte e ftuar së bashku me kolegun e saj nga “The Hunger Games”, Josh Hutcherson, 36-vjeçarja u sfidua të rendiste pesë aktorë sipas aftësive të tyre në skenat e puthjeve.
Në listën e saj përfshiheshin Josh Hutcherson, Liam Hemsworth, Bradley Cooper, Chris Pratt dhe Timothée Chalamet.
Fillimisht, Lawrence nisi të përmendte emrat, por prezantuesi i kujtoi se duhej t’i rendiste nga puthja më e mirë te ajo më e keqja.
Në vendin e parë aktorja vendosi Josh Hutcherson, i cili ndodhej pranë saj në studio. Pas tij renditi Liam Hemsworth, Bradley Cooper dhe Timothée Chalamet, ndërsa Chris Pratt përfundoi në vendin e fundit.
Lawrence dhe Pratt kanë luajtur së bashku në filmin fantastiko-shkencor “Passengers” të vitit 2016, ku interpretonin dy udhëtarë të një anijeje kozmike që zgjohen shumë përpara mbërritjes në destinacion.
Nuk është hera e parë që aktorja ka folur për sikletin që përjetoi gjatë xhirimit të skenave intime me Pratt. Në një intervistë të mëparshme për “The Hollywood Reporter”, ajo tregoi se ishte ndier veçanërisht në siklet, pasi aktori ishte i martuar në atë kohë me Anna Faris.
Madje, Lawrence pranoi se kishte konsumuar alkool përpara xhirimeve për të përballuar situatën, por kjo kishte bërë që të ndihej edhe më në ankth më pas.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.