Miley Cyrus dhe Maxx Morando drejt altarit

Miley Cyrus pritet të kurorëzojë dashurinë me të fejuarin e saj, muzikantin Maxx Morando, gjatë këtij fundjave në Kaliforninë Jugore.
Sipas raportimit të TMZ, burime pranë çiftit kanë bërë të ditur se ceremonia e martesës do të zhvillohet këtë fundjavë, më 21 ose 22 nëntor. Megjithatë, detajet rreth vendit ku do të mbahet ceremonia, të ftuarve dhe organizimit janë mbajtur të fshehta.
As Miley dhe as Maxx nuk kanë konfirmuar zyrtarisht lajmin, ndërsa përfaqësuesit e tyre nuk kanë dhënë ende një koment publik.
Lajmi vjen disa muaj pasi nëna e këngëtares, Tish Cyrus, la të kuptohej se çifti mund të ishte martuar tashmë. Gjatë ceremonisë ku Miley mori yllin e saj në Hollywood Walk of Fame në maj, Tish thuhet se iu referua Maxx-it si bashkëshorti i vajzës së saj.
Miley, 33 vjeçe, dhe Maxx, 28 vjeç, u njohën në vitin 2021 përmes një takimi të organizuar nga miqtë dhe e bënë publike lidhjen e tyre në nëntor të po atij viti, gjatë një eventi të markës Gucci.
Në dhjetor të vitit 2025, fejesa e tyre u konfirmua pasi këngëtarja u shfaq me një unazë diamanti në premierën e filmit “Avatar: Fire and Ash” në Los Angeles. Më vonë, ajo tregoi se Maxx i kishte propozuar gjatë një udhëtimi në Japoni, duke e përshkruar propozimin si një surprizë të jashtëzakonshme.
Madje, muajin e kaluar, dyshja tërhoqi vëmendjen e fansave kur Maxx u ngjit në skenë gjatë koncertit të Miley-t në Hollywood Bowl, ku së bashku performuan këngën “Let’s Get Married”.
Nëse martesa realizohet, kjo do të jetë hera e dytë që këngëtarja shkon drejt altarit. Ajo ishte më parë e martuar me aktorin Liam Hemsworth. Çifti u martua në dhjetor të vitit 2018, por u nda në gusht të vitit 2019, ndërsa divorci u finalizua në janar të vitit 2020.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.