Bota

Cila ishte e reja në shpërthimin e fundit të dhunës në Charlottesville?

Shumë ekspertë të ekstremizmit shohin në shpërthimet më të fundit të dhunës së djathtë në SHBA një tendencë alarmuese. Por Charlottesville nxjerr në pah edhe një dimension të ri.

Urrejtja dhe dhuna, që u ushtrua fundjavën e kaluar hapur nga ekstremistë të djathtë në Charlottesville shkaktuan në SHBA dhe në të gjithë botën zemërim. Edhe reagimi publik i Presidentit të SHBA, Donald Trump, të cilin shumë e perceptuan si të vonuar dhe të papërshtatshëm dhe të pamenduar, korri kritika të ashpra.

Përmasat e racizmit, dhunës dhe urrejtjes në thelb nuk janë asgjë e re, thotë Cas Mudde, politolog në “University of Georgia”, i cili zhvillon kërkime për ekstremin e djathtë në SHBA dhe në Evropë. Potenciali i dhunës në aktivitete si në “Manifestimin për Bashkimin e të Djathtëve” është përgjithësisht i lartë. Kjo vlen veçanërisht, kur anëtarë të skenës ekstremiste të djathtë bien në kontakt me grupe militante të spektrit të majtë, si për shembull Antifa.

“Një vlerësim i krimeve të ekstremistëve tregon se vetëm në 25 vjetët e kaluara nga dhuna e ekstremistëve të djathtë në SHBA u vranë qindra vetë, midis tyre edhe mbështetës të “White Supremacy”, plotëson eksperti për ekstremizmin, Jeff Gruenewald nga Indiana University, i cili është bashkëpunëtor në shoqatën kombëtare për Studimin e Luftimin e Terrorizmit.

Edhe përpjekjet për t’i bashkuar grupimet e ndryshme në spektrin e djathtë ekstremist të politikës, nuk janë të reja, theksojnë ekspertët. Megjithatë ata vënë re tri zhvillime domethënëse, të cilat e dallojnë Charlottesville-n nga ekseset e deritashme të së djathtës.

1. Fuqia e madhe tërheqëse

Në radhë të parë, e djathta ekstreme në Charlottesville arriti që të vendosë komunikimin me grupime të veçanta të lëvizjes. Më parë, përpjekje për të bashkuar qarqe të ndryshme, gjithmonë patën dështuar. “Ishte i mbledhur gati i gjithë spektri i djathtë, gjë që është e pazakontë në SHBA, që neonazistët, anëtarët e Ku Klux Klanit racist dhe lëvizja Identitare të shfaqen së bashku”, konstaton Mudde.

2. Një automjet si armë

Së dyti, përdorimi i një arme si instrument dhune duket i ri. “Ithtarët e “White Supremacy” në SHBA tradicionalisht kanë përdorur armët e zjarrit dhe armë të tjera konvencionale, për të vrarë”, thotë Gruenwald.

3. Reagim i vonuar i Presidentit

Dhe së treti, të tërheq vëmendjen dhe reagimi i vonuar dhe i dobët i Presidentit Donald Trump ndaj ekseseve të dhunës së djathtë në Charlottesville.

Edhe mungesa e twitterit është mesazh

“Normalisht Presidenti reagon brenda sekondash me fjalë të qarta, kurse tani i duhet kaq shumë kohë”, habitet studiuesi i ekstremizmit, Mudde. Nga reagimi i vonuar i tij mund të nxjerrësh të paktën që kjo temë nuk e ngacmon atë, thotë Mudde: “Dhe kjo të tërheq vëmendjen për një burrë, që përndryshe reagon për të gjitha. Çdo sulm i një migranti pa dokumenta ose i një myslimani – dhe ai shkruan brenda minutash një twitter, sepse ndodhia e ngacmon.”

Mudde ka pikëpamjen se pas twitterit të Trumpit – ose në këtë rast mungesës së twiterit – nuk kemi një strategji, të menduar më parë nga Presidenti ose nga këshilltarët e tij. Mosreagimi tregon sa i pandjeshëm është Trumpi përballë racizmit. Kjo u bë e qartë që në fushatën e tij elektorale, kur Trumpi shpërndau me twitter përmbajtje raciste.

Persona me botëkuptim radikal të djathtë në Shtëpinë e Bardhë

Që Trump ngurroi në këtë masë që t’i vinte emrin dhunës së djathtë, kjo ka ndoshta edhe shkaqe të tjera. Peter Simi, i cili bën punë kërkimore për ekstremizmin politik në Chapman University, sheh një lidhje edhe në faktin se në Shtëpinë e Bardhë punojnë disa vetë nga spektri ekstremist i djathtë. “Sigurisht që nuk ka nevojë të shkosh shumë larg për të supozuar, se kjo ka luajtur një rol në ngurimin e tij.”

Trumpi e shkeli detyrimin për t’u distancuar nga nacionalistët e bardhë. “Si pasojë, këto grupe ndihen të inkurajuara dhe krijojnë përshtypjen se kanë një mik në Shtëpinë e Bardhë”, analizon Mudde.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button