Cipras dhe Putin diskutojnë projektin e ”Gazsjellësit grek”
Gatishmërinë e palës ruse që të financojë kompanitë greke që do të marrin pjesë në projektin e ndërtimit të ”Gazsjellësit grek” të gazit natyror, ka konfirmuar presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Cipras, sipas një komunikate të Kremlinit.
I ashtuquajturi ”Gazsjellësi grek” është një zgjatim i ”Turkish pipeline” që do të kalojë nën Detin e Zi.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e sistemit të transportit të gazit rus në Greqi, si pjesë e rrjetit të ri të transportimit nëpërmjet Turqisë dhe vende të tjera europiane”, thuhet në komunikatë.
“Në këtë kuadër u konfirmua gatishmëria e palës ruse që të shqyrtojë çështjen e financimit për kompani greke publike dhe private, që do të aktivizohen në këtë projekt”, theksohet në të.
Në komunikatë nënvizohet gjithashtu se “u shqyrtua spektri i marrëdhënieve dypalëshe, në kuadër të realizimit të marrëveshjeve që u arritën gjatë vizitës së Ciprasit në Rusi”.