Cipras: Përmbytjet në Athinë rezultat i ndërtimeve të paligjshme
Përmbytjet vdekjeprurëse që shkaktuan vdekjen e 20 personave dhe shkatërrimin e banesave dhe bizneseve në Atikën Perëndimore, javën e kaluar, janë rezultat i ndërtimeve dhe urbanistikës së paligjshme dhe të pafalshme të dekadave të fundit, tha dje kryeministri grek, Aleksis Cipras gjatë një debati në parlament mbi ndihmat financiare që qeveria do të ofrojë për të prekurit nga këto përmbytje si dhe personat me të ardhura të ulëta dhe pensionistët.
“Kjo është një fatkeqësi e pashembullt e shkaktuar nga një fenomen jashtëzakonisht ekstrem”, tha ai, duke shtuar se përmbytjet kanë nxjerrë në pah “ndërtimet dhe urbanistikën e qytetit të planifikuar në mënyrë të paligjshme nga politika e mëparshme gjatë këtyre dekadave të fundit”.
“Kur ju qëndroni indiferent ndaj natyrës për dekada me radhë, vjen një kohë kur vetë natyra hakmerret dhe çmimi në këtë rast është dhimbja. Pamjet e shkaktuara nga përmbytjet ishin vërtetë tronditëse. Angazhimi ynë për të ndihmuar personat e prekur nga ky fenomen natyror mbetet një prioritet dhe detyrim”, shtoi ai.
Cipras përsëriti masat e paralajmëruara nga qeveria për rindërtimin e menjëhershëm të shtëpive dhe bizneseve të prekura nga përmbytjet që shkatërruan vendin javën e kaluar.
Qeveria do të ofrojë 5 000 euro për banesat dhe 8 000 euro bizneset e dëmtuara gjatë ditëve në vijim.
Duke folur për shqetësimet e sigurisë në Atikën Perëndimore pas goditjes nga përmbytjetet, Cipras tha se rreth 1 200 policë janë angazhuar për rritjen e sigurisë në vend.