“Civilna Zastita” në veri, shpërbëhet deri më 1 shtator
Serbët e veriut nuk janë njoftuar zyrtarisht. Ekspertët thonë se shuarja e kësaj organizate duhet të përcillet me një proces të verifikimit dhe të shmanget mundësia që kriminelët të integrohen në institucione.
Një shtatori i këtij viti është afati i fundit kur organizata paralele serbe në veri të Kosovës “mbrojtja civile”, apo sic njihet nga serbët ”Civilna Zastita”, duhet të pushojë së funksionuari. Kështu thuhet në një marrëveshje që qeveria e Kosovës thotë se e ka arritur me Beogradin zyrtar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje u arrit me (26.03) ndërsa, u rikonfirmua një ditë më parë nga ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, e cila po qëndron në Bruksel, për të diskutuar implementimin e marrëveshjeve të deritashme Kosovë-Serbi.
Marrëveshja konfirmohet nga qeveria
“Zonja Tahiri i vlerësoi lartë përparimet e arritura në dialog në këtë periudhë, me arritjen e marrëveshjeve në çështjen e “Mbrojtjes Civile” dhe të drejtësisë, duke konfirmuar se Qeveria e Kosovës menjëherë ka filluar realizimin e obligimeve të saj zbatuese. Këto zhvillime pozitive janë një shtytje e re për këtë proces dhe që duhet të shërbejnë për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjeve në fushat ku janë evidentuar stagnime dhe zvarritje”, thonë nga zyra e zonjës Tahiri.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, organizatën serbe ”Mbrojtja Civile”, në veri, vazhdojnë ta cilësojnë si një organizatë paramilitare të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar. Mirëpo, sipas marrëveshjes Kosovë-Serbi, ata janë pajtuar që pjestarët e kësaj organizate të integrohen në institucionet e Kosovës.
“Arritja e kësaj marrëveshjeje ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian ka një rëndësi të madhe, sepse i jep fund strukturës ilegale të të ashtuquajtur ‘Mbrojtja civile”, dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtarëve të saj në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Serbisë nuk komenton
Qeveria e Serbisë nga ana e saj, nuk ka pranuar ta komentojë në detaje marrëveshjen për shuarjen e organizatës “Mbrojtja civile”, të arritur në Bruksel, duke thënë se ajo është themeluar nga komunat në veri të Kosovës me qëllit që të merret me emergjenca civile.
Përfaqësuesit politik të serbëve të veriut të Kosovës janë shprehur, siç thuhet, të pakënaqur me arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke thënë se ata akoma nuk janë të njoftuar zyrtarisht nga asnjëra palë dhe nuk e dinë përmbajtjen e marrëveshjes.
Goran Rakiq, kryetar i komunës së veriut të Mitrovicës, thotë se ai për marrëveshjen për shuarjen e organizatës “Civilna Zastita”, ka dëgjuar vetëm në media.
“Ata po flasin për një integrim në vetëqeverisjen lokale, ndërkohë që ne në qeveri lokale nuk e kemi asnjë ide lidhur me këtë. Është dashur që t’i thërrasin në bisedime edhe kryetarët komunave të veriut. Ne tash jemi sjell para aktit të kryer dhe unë nuk e di se si do të paguhen ata persona”, citojnë mediat lokale zotin Goran Rakiq.
Rreziqet dhe suksesi
Njohës të çështjeve të sigurisë besojnë se integrimi i pjestarëve të organizatës serbe, “Mbrojtja civile”, në institucionet e Kosovës mund të ketë sukses nëse Prishtina dhe Beogradi kanë vullnet politik. Kështu i tha Deutsche Welles, Florian Qehaja, nga Instituti Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ( KCSS ).
“Konsideroj që me një vullnet politik në Prishtinë dhe Beograd, si dhe me një gatishmëri më të madhe nga ana e Prishtinës për integrimin e mbrojtes civile, implementimi i kësaj marrëveshje do të ketë sukses. Kjo duke e pasur parasysh suksesin i cili kryesisht mund të vlerësohet në integrimin e ish pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, (MPB) në Policinë e Kosovës”, thotë Florian Qehaja.
Sipas tij, problemi më i madh i integrimit të kësaj strukture është numri shumë i madh i pjesëtarëve të saj: “ka informacione që janë mbi 750 anëtarë, numër ky i cili me dashje u rrit në mënyrë që të krijohen vende në rast të integrimit të tyre në institucionet e Kosovës”.
“Unë mendoj që një pjesë e tyre mund të përfitojnë nga integrimi në strukturat e emergjencave civile në katër komunat (pra në njësitet e zjarrfikësve). Një pjesë do të mund të sistemohej në strukturat e shërbimit civil – nëpër Agjencionet e shtetit, përderisa pjesa e mbetur (rreth 300) do të pensionohej ose do t’i nënshtrohej ndonjë programi ri-integrimi në jetë civile dhe biznes. Integrimi i tyre do të duhej të përcillej me një proces strikt të verifikimit të sigurisë në mënyrë që të shmanget çdo individ i cili ka pasur të kaluar kriminale apo ka punuar aktivisht në dëm të interesave të Kosovës”, thotë Florian Qehaja.
Fillmisht realizimi i marrëveshjeve
Qeveria e Kosovës tash për tash është e fokusuar në zbatimin e marrëveshjeve të deritashme Kosovë-Serbi, duke mos dashur të hapen tema të reja pa zbatimin e marrrëveshjeve të kaluara. Edita Tahiri, ministre e Dialogut ka thënë në një intervistë të mëhershme për DW, se qeveria e Kosovës është për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Por fillimisht kërkon që të zbatohen nga ana e Serbisë marrëveshjet e arritura deri tash në mënyrë që të hapet rruga për tema të reja, apo siç e quan ajo, fazën e tretë të dialogut.
“Që nga tetori i vitit të shkuar ne kemi vërejtur që Serbia jo që nuk po i zhbën strukturat e saja paralele në Kosovë, por përkundrazi i ka forcuar dhe ka vënë nën hije veprimtarinë e komunave legale, që janë zgjedhur në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Pikërisht zgjedhjet lokale të vitit 2013 janë rezultat i marrëveshjes së Brukselit Kosovë-Serbi e nënshkruar me 19 prill 2013. Pra, nga ana jonë unë mund të them se qeveria e Kosovës është e përkushtuar për vazhdimin e dilaogut me Serbinë. Por ne kërkojmë rritje të cilësisë në zbatimin e marrëveshjeve për të krijuar kushtet për fazën e tretë të dialogut ku do të hapen tema të reja”, thotë Edita Tahiri.