Ekonomia

Collaku: Po punojmë ta bëjmë Shqipërinë një nga destinacionet më interesante turistike

Zbatimi i strategjisë dhe direktivave të shoqërisë fituese të konkursit “Branding Albania” për imazhin, logon dhe sloganin e Shqipërisë “Strawberry Frog” me sloganin “Albania- Go your own way”, do të jetë një nga shtyllat mbi të cilën do të bazohet promovimi turistik i vendit tonë, për ta bërë të një nga destiancionet më interesante turistike në botë.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku, në një intervistë për ATSH-në renditi edhe disa nga projektet e hartuara me të cilat po promovohet Shqipëria turistike.

Ministria ka ndërmarrë një sërë planesh dhe masash për të organizuar promovimin e turizmit, thotë ai. Aktualisht, thotë Çollaku, jemi duke ndërmarrë një program të detajuar për zhvillimin e turizmit, i cili fokusohet në pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare. Sipas tij, vihet re se nga viti i kaluar është shtuar numri i pjesëmarrjes së AKT-së në këto panaire ndërkombëtare.

Gjithashtu, thotë ai, është rritur edhe interesi i Agjencive e Operatorëve Turistike për t’iu bashkangjitur agjencisë në këto panaire. “Janë ata që bëjnë pjesën e takimeve dypalëshe (B2B) me operatorët e tjerë ndërkombëtarë për të bërë të mundur ardhjen e sa më shumë turistëve. Diçka tjetër që ne duam të vëmë në dukje, e vijon bisedën Çollaku, është edhe ajo e turizmit gjithëpërfshirës ose mënyrës se si mund të zhvillohet turizmi në Shqipëri, duke e bërë atë sa më të qëndrueshëm.

Në këtë mënyrë, thotë ai, ne duam të promovojmë jo vetëm lokalitetet ose destinacionet turistike sezonale siç mund të jenë plazhet, por, shprehet Çollaku, duam ta shtrijmë duke e shpërndarë në drejtime të ndryshe. Për këtë ai thotë se do të kërkohet edhe bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore.

“Është një fat i madh që u bë reforma territoriale, ku tani do të ketë bashkëpunim të drejtpërdrejtë me këto institucione për të promovuar lokalitete të ndryshe që siç e dimë nuk i njohim mirë as ne shqiptarët. Ne kemi bukuri natyrore tërheqëse, në të cilat mund të zhvillohen aktivitete shumë të ndryshme, siç janë sportet atraktive turistike, si rafting,hiking, sportet çiklistike apo automobilistike, sepse kemi organizuar edhe gara really dhe për këtë AKT ka luajtur një rol të rëndësishëm duke e bërë të mundur promovimin jo vetëm në rajon, por edhe në arenën ndërkombëtare. AKT ka nisur një traditë tashmë funtours, duke thirrur media të huaja në vendin tonë, të cilët kanë patur mundësinë e prekjes konkrete e shpërndarjes së këtij informacioni për të bërë sa më të njohur vendin tonë”, shprehet Çollaku.

Një tjetër projekt që MZHETS po ndërmer në fushën e promovimit të turizmit është edhe ai i zbatimit të strategjisë sipas standardeve që ka përcaktuar shoqëria fituese e konkursit “Branding Albania”, për imazhin, logon dhe sloganin e Shqipërisë “Strawberry Frog” me sloganin “Albania- Go your own way”, e cila, sipas Çollakut, është një logo që duhet të përdoret nga të gjitha institucionet shtetërore për ta simbolizuar logon e brandit shqiptar në arenën ndërkombëtare, për ta bërë të njohur këtë lloj brandi edhe në arenën ndërkombëtare. “Mendoj se ka një strategji të mirë pasi ekspertët kanë qenë me famë botërore”, deklaroi ai.

Më tej, ai bëri të ditur se MZHETS është duke punuar për aktet nënligjore në fushën e turizmit. Ato, ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në përmirësimin e sistemit aktual ligjor që ka ky sektor, e ndihmojnë sektorin në mënyrë që të standardizohet. Kjo edhe nëpëmrjet inspektoriatit të turizmit që do të dalë nga këto akte nënligjore. “Më në fund do të kemi hotele të çertifikuara, shërbim cilësor dhe turistët që do të vijnë do të kenë mundësinë ti ofrohet ajo lloj cilësie e shërbimi, të cilin ai e ka paguar vërtet”, shprehet kreu i AKT-së.

Një tjetër projekt i promovimit është edhe ai që ka të bëjë me bashkëpunimin e ngushtë me ministrinë e Kulturës për hartimin e të gjitha eventeve kulturore, duke i bashkërenduar e promovuar së bashku me AKT, në mënyrë që këto evente të marrin jehonën që u takon dhe të kenë pjesëmarrjen e duhur e interesin e duhur të të gjithë turistëve.

Të gjithë ata që duan të vizitojnë vendin tonë shumë shpejt, sipas Çollakut, do të kenë mundësinë të gjejnë të gjithë informacionin ne website. Hartimi i një faqeje interneti është një nga projektet kryesore të zhvillimit të mëtejshëm të sistemit turistik në Shqipëri, thotë Çollaku ndërsa na informon se po punohet me disa infopoint-e dixhitale në mënyrë që turisti të ketë mundësi të vet informohet. Këto do të jenë në hyrje të qyteteve kryesore, në pikat hyrëse kufitare, etj. “Gjithashtu, do ta pasurojmë këtë sistem me të gjithë informacionin e duhur, një sistem GIS të integruar koordinatash, udhërrëfyes hotelesh, aktivitetet që zhvillohen në zonën ku ai është duke pushur”, tha Çollaku.

Edhe bashkëpunimi me Ministrinë e Jashtme, shprehet Çollaku, shihet si mjaft i rëndësishëm. “Në kuadër të promovimit ministria e Jashtme është një nga partnerët kryesorë të turizmit, pasi ne do të duam të rrisim më tej bashkëpunimin me të gjitha ambasadat, duke i bërë edhe ato pjesëmarrëse në të gjitha eventet që organizohen në shtete të tjera ku ne kemi përfaqësi diplomatike”, deklaroi kreu i AKT-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button