“Conde Nast Traveller” promovon plazhet shqiptare – Tv Klan
Nga gjiret e fshehura mes shkëmbinjve të egër, te rëra e bardhë që lagët nga uji i kristaltë i Jonit dhe Adriatikut, Shqipëria po kthehet nga një sekret i ruajtur mirë, në një nga destinacionet më të nxehta të turizmit europian.
Kështu e përshkruan shqipërinë, revista prestigjoze e udhëtimeve Condé Nast Traveler në një artikull të fundit, ku ka rënditur plazhet më të bukura të vendit tonë.
Udhëtimi i reporterëve amerikanë nis në Vlorë. E konsideruar si porta hyrëse e Rivierës Shqiptare, Vlora përshkruhet si vendi ku Adriatiku takon Jonin, duke ofruar një ndërthurje perfekte mes hoteleve moderne dhe natyrës së virgjër.
Më në jug, Himara shpalos sharmin e saj autentik. Artikulli vë në dukje kontrastin magjepsë, nga njëra anë, jeta e thjeshtë e peshkatarëve vendas në tavernat tradicionale, dhe nga ana tjetër, gjiri i Llamanit, një xhevahir i fshehur mes dy kodrave që tërheq vizitorët me ujin si pasqyrë.
Ndërkohë që për ata që duan më qetësi rekomandohet plazhi Lukovës dhe Bunecit, por edhe Borshi dhe Qeparoi.
Ndërsa për ata që kërkojnë stil dhe jetë nate, Dhërmiu dhe Palasa mbetet kryefjala. I vlerësuar si plazhi më trendi i bregdetit shqiptar, ai ofron një kombinim unik të ullinjve shekullorë, bareve elegante dhe hoteleve luksoze.
Por nëse ka një vend që nuk ka nevojë për filtra, ai është Ksamili. I rënditur në top-treshen e padiskutueshme të revistës, ky arkipelag ishujsh të vegjël vetëm 20 kilometra larg Sarandës, është një nga plazhet e vendit tonë që rivalizon destinacionet më të shtrenjta aziatike.
Për aventurierët, artikulli sugjeron Gjirin e Gramës dhe plazhin e Gjipesë. Të aksesueshme kryesisht me anije ose përmes shtigjeve të vështira malore, këto dy pika përfaqësojnë egërsinë dhe paqen absolute të Mesdheut.
Klan News
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.