Korridori Adriatiko-Jonian, nis projektimi për zgjerimin në autostradë të aksit Gjirokastër–Kakavijë
Rreth 24 kilometra të rrugës që lidh Gjirokastrën me kufirin grek në Kakavijë janë parashikuar të kthehen në autostradë me katër korsi, si pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e zgjerimit të aksit, që përfshin kryesisht dyfishimin e rrugës ekzistuese, ndërtimin e nyjeve të reja lidhëse dhe përmirësimin e aksesit drejt një prej pikave kryesore kufitare me Greqinë.
Procedura e prokurimit, me objekt “Studim Projektim zgjerimi i rrugës Levan–Gjirokastër”, ka një fond limit prej 99.8 milionë lekësh apo mbi 1 milion euro. Por, sipas termave të referencës, ndërhyrja që do të studiohet përqendrohet në segmentin Bypass Gjirokastër–Kakavijë, me gjatësi konceptuale 23.79 kilometra.
Ky është seksioni fundor jugor i Korridorit Adriatiko-Jonian në Shqipëri, i cili shtrihet nga Muriqani, në kufirin me Malin e Zi, deri në Kakavijë. Segmenti nis pranë Derviçanit dhe përfundon në pikën kufitare, ku duhet të sigurohet vazhdimësia e lidhjes me rrjetin rrugor grek.
Sipas dokumentacionit të ARRSH-së, zhvillimi i këtij aksi synon reduktimin e kohës dhe kostove të udhëtimit, rritjen e kapacitetit të qarkullimit dhe lehtësimin e transportit të mallrave dhe udhëtarëve mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Projekti
Studimi ekzistues i fizibilitetit parashikon shndërrimin e rrugës SH4 në një autostradë të kategorisë A, kryesisht përmes zgjerimit të gjurmës aktuale. Koncepti përfshin dy korsi lëvizjeje për secilin drejtim, me gjerësi 3.75 metra secila, si dhe korsi emergjence në të dy anët.
Shpejtësia e projektimit parashikohet nga 80 deri në 140 kilometra në orë, në varësi të karakteristikave teknike. Përgjatë segmentit janë konceptuar katër nyje në disnivel dhe katër ura me gjatësi të përgjithshme rreth 190 metra.
Studimi nuk parashikon ndërtimin e tuneleve. Në tri zona, gjurma e autostradës është konceptuar të devijojë nga rruga ekzistuese për të respektuar distancat mbrojtëse nga monumentet e kulturës. Gjatësia e përgjithshme e devijimeve arrin rreth 2.2 kilometra.
Projekti duhet të ruajë gjithashtu lidhjet me Sarandën, Libohovën dhe vendbanimet e Dropullit. Studimi paraprak identifikon rreth 44 kilometra rrugë shërbimi dhe bujqësore, të nevojshme për garantimin e aksesit në pronat përgjatë korridorit. Parametrat nuk janë përfundimtarë. ARRSH kërkon që projektuesi të shqyrtojë alternativa të tjera të gjurmës dhe të verifikojë kushtet e terrenit përpara përzgjedhjes së zgjidhjes që do të zbatohet.
Ndikimi
Kakavija përbën një nga pikat kryesore të kalimit kufitar të Shqipërisë, me flukse të konsiderueshme udhëtarësh, automjetesh dhe transporti mallrash. Sipas ARRSH-së, zgjerimi i rrugës pritet të përmirësojë lidhjen ndërkufitare, aksesin drejt qendrave ekonomike dhe zonave bujqësore, si dhe drejt destinacioneve turistike të jugut.
Projektimi duhet të marrë në konsideratë edhe organizimin e qarkullimit në pikën kufitare, përfshirë menaxhimin e radhëve të automjeteve, qarkullimin e mjeteve të rënda, parkimin dhe mundësinë e zgjerimit të ardhshëm të terminalit.
Investimi mbështetet në studimin e fizibilitetit të Korridorit Adriatiko-Jonian, të financuar nga Bashkimi Europian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si institucion financiar drejtues. Studimi u përfundua në vitin 2019. Sipas termave të referencës, procesi i studimit dhe projektimit parashikohet të zgjasë 22 muaj.
Gjatë kësaj periudhe do të përcaktohen gjurma përfundimtare, zgjidhjet teknike, preventivi i ndërtimit dhe dokumentacioni i nevojshëm për shpronësimet dhe vlerësimet mjedisore. Fondi prej 99.8 milionë lekësh mbulon vetëm shërbimin e projektimit. Kostoja e ndërtimit të autostradës nuk është përcaktuar ende dhe do të dalë nga projekti përfundimtar./ N.Maho



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.