“Cosmopolitan UK”: Pushime në Shqipëri, një përvojë plot diell, relaks dhe aventura mes mikeshash
– Revista britanike “Cosmopolitan UK”, në bashkëpunim me kompaninë e udhëtimeve “Intrepid”, ka përfshirë Shqipërinë në një paketë të veçantë turistike për verën e vitit 2027, duke ftuar vizitorët të zbulojnë vendin, përmes një udhëtimi pesëditor mes Tiranës, Beratit dhe Rivierës Shqiptare.
I konceptuar si një udhëtim vetëm për vajza/gra, nga 26 deri më 30 qershor 2027, programi ndërthur përvojat kulturore, degustimin e verërave vendase, ekskursionet me varkë, plazhet, natyrën dhe aktivitetet çlodhëse, duke e prezantuar Shqipërinë si një destinacion që ofron shumë më tepër se thjesht pushime tradicionale bregdetare.
“Cosmopolitan UK” fton turistet të bashkohen në një udhëtim të veçantë mes vajzash në Shqipëri, për të shijuar verën, notin dhe momente relaksi në një prej destinacioneve më tërheqëse të Evropës.
A nuk jeni lodhur nga moti i ftohtë i dimrit, duke shfletuar fotografitë e verës në telefon dhe duke ëndërruar për udhëtimin e radhës me shoqet, drejt një destinacioni të ngrohtë dhe me diell? Ne kemi zgjidhjen e përsosur për ju.
Revista “Cosmopolitan UK”, në bashkëpunim me kompaninë e udhëtimeve “Intrepid”, ju fton në një udhëtim të veçantë mes vajzash në Shqipëri.
Imagjinoni ditët e gjata me diell, duke shijuar verën vendase, duke notuar në ujërat e kristalta dhe duke praktikuar joga në perëndim të diellit, me pamje nga deti Jon.
Një udhëtim që premton gjithçka që mund të dëshironi!
Udhëtimi do të zhvillohet nga 26 deri më 30 qershor 2027 dhe është një mundësi për t’u çlodhur, për të zbuluar një nga destinacionet më tërheqëse të pushimeve në Evropë dhe për të njohur turiste të tjera.
Ky do të jetë një udhëtim vetëm për vajza/gra, të cilat do të shoqërohen nga një përfaqësuese e ekipit të “Cosmopolitan” dhe një guidë vendase.
Gjatë udhëtimit, guida do të ndajë informacione të rëndësishme për zonat që do të vizitohen, do të rekomandojë vendet më të mira për të ngrënë dhe do të sugjerojë atraksionet dhe aktivitetet që nuk duhen humbur.
Gjatë pesë ditëve, pjesëmarrëset do të përjetojnë disa nga eksperiancat më të mira turistike, që Shqipëria ka për të ofruar.
Programi përfshin eksplorimin e tregjeve lokale në Tiranë dhe takimin me gra shqiptare që drejtojnë nisma sipërmarrëse të grave, një degustim vere në një kantinë familjare në Berat, si dhe një udhëtim me varkë për të zbuluar gjiret dhe plazhet e fshehura të Shqipërisë.
Ky është kombinimi i përsosur mes natyrës, kulturës dhe çlodhjes.
Më poshtë vijon programi i plotë të udhëtimit, i cili ofron edhe mundësi për ta përjetuar atë sipas dëshirave tuaja.
Në udhëtim do të marrin pjesë jo vetëm turustet, por edhe një anëtare e ekipit të “Cosmopolitan”.
Çmimi është 1,379 paund për person, bazuar në akomodimin në një dhomë dyshe të përbashkët.
Për ato që dëshirojnë të qëndrojnë në një dhomë më vete, aplikohet një pagesë shtesë prej 254 paundësh për person.
Biletat e avionit nuk përfshihen në çmimin e udhëtimit. Në të përfshihen vetëm vaktet, qëndrimet në hotele dhe aktivitetet e përcaktuara në program.
Programi i plotë i udhëtimit
Dita e parë – 26 qershor
Destinacioni: Tiranë
Akomodimi: “Sky Hotel Tirana”
Vaktet e përfshira: Darka
Aktivitetet: Tur në këmbë me guidë
Udhëtimi nis me një transferim privat nga aeroporti. Në orën 17:00, pjesëmarrëset do të takohen me njëra-tjetrën dhe do të mirëpriten nga guida, duke pasur mundësinë të njihen me bashkudhëtaret.
Më pas, do të zhvillohet një tur i organizuar në Tiranë, për të zbuluar ndërthurjen interesante të ndikimeve osmane, italiane, komuniste dhe bashkëkohore që karakterizojnë qytetin.
Programi përfshin vizita në tregjet lokale dhe hapësirat artizanale, si dhe takime me gra shqiptare frymëzuese, të angazhuara në biznese krijuese, sipërmarrje sociale dhe iniciativa të drejtuara nga gratë.
Pas përfundimit të turit, grupi do të shijojë një darkë mirëseardhjeje në një restorant vendas, ku pjesëmarrëset do të kenë mundësinë të provojnë për herë të parë, gatimet tradicionale shqiptare.
Dita e dytë – 27 qershor
Destinacioni: Riviera Shqiptare
Akomodimi: “Chimaera Hotel”, Himarë
Vaktet e përfshira: Mëngjesi
Aktivitetet: Degustim vere dhe joga në mbrëmje
Pas mëngjesit, grupi do të largohet nga Tirana dhe do të udhëtojë drejt jugut, në drejtim të Rivierës Shqiptare.
Gjatë rrugës, do të ndalet në rajonin e njohur të verës në Berat, ku është organizuar një degustim në një kantinë vere familjare.
Aty pjesëmarrëset do të njihen me zhvillimin e kulturës së verës në Shqipëri dhe do të provojnë një përzgjedhje verërash vendase, të shoqëruara me specialitete të zonës.
Pas degustimit, udhëtimi do të vijojë përmes disa prej peizazheve më piktoreske të Shqipërisë, deri në mbërritjen në Rivierë.
Grupi do të akomodohet në një hotel elegant pranë detit, ndërsa pasditja do t’i kushtohet çlodhjes dhe qëndrimit në plazh, për të shijuar ritmin më të qetë të jetës bregdetare.
Dita do të përfundojë me një seancë relaksuese joge, me pamje nga deti Jon.
Në një mjedis të qetë, mes bukurive natyrore të Rivierës Shqiptare, pjesëmarrëset do të shijojnë momente ndërgjegjësimi, lëvizjeje të lehtë dhe afrimiteti me natyrën.
Dita e tretë – 28 qershor
Destinacioni: Riviera Shqiptare
Akomodimi: “Chimaera Hotel”, Himarë
Vaktet e përfshira: Mëngjesi dhe dreka
Aktivitetet: Ekskursion privat me varkë
Dita e tretë do t’i kushtohet një udhëtimi me varkë!
Pjesëmarrëset do të hipin në një varkë private dhe do të lundrojnë përgjatë gjireve të veçuara, plazheve të fshehura dhe zonave me ujëra të kristalta, të cilat mund të arrihen vetëm nga deti.
Do të ketë mundësi për të notuar dhe për të eksploruar botën nënujore me maskë dhe tub frymëmarrjeje, në disa prej ujërave më të bukura të Mesdheut.
Për drekë do të shërbehet një vakt i lehtë tradicional, në një fshat të vogël bregdetar ose në një restorant pranë plazhit.
Dita e katërt – 29 qershor
Destinacioni: Riviera Shqiptare
Akomodimi: “Chimaera Hotel”, Himarë
Vaktet e përfshira: Mëngjesi dhe darka
Aktivitetet: Ekskursion në këmbë me guidë
Në ditën e katërt, grupi do të zhvillojë një ecje gjysmëditore me guidë, përgjatë një prej itinerareve më piktoreske bregdetare të Rivierës.
Itinerari ndërthur pamjet spektakolare të detit, ullishtet, peizazhet malore dhe fshatrat tradicionale.
Pas përfundimit të ecjes, pjesëmarrëset do të shijojnë drekën dhe do të kenë kohë të lirë për të eksploruar kafenetë lokale, dyqanet e vogla dhe plazhet e zonës.
Ndërsa dielli perëndon mbi Rivierë, grupi do të mblidhet për herë të fundit për një darkë lamtumire në një restorant buzë detit.
Dita e pestë – 30 qershor
Destinacioni: Riviera Shqiptare
Akomodimi: Chimaera Hotel, Himarë
Vaktet e përfshira: Mëngjesi
Dita e fundit e udhëtimit do t’i kushtohet kthimit në shtëpi. Pjesëmarrëset do të nisen drejt aeroportit të Tiranës me një transferim privat. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.