“Crown Agents”: Programi ynë nuk ka dështuar
Kompania e cila asiston qeverinë shqiptare për mbledhjen e të ardhurave dhe rritjen e kapaciteteve doganore “Crown Agents”, në një njoftim të shpërndarë për mediat bën të ditur se mbetet e përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe ndaj arritjes së ndryshimeve të qëndrueshme, duke punuar krah për krah me doganat dhe ministrinë e Financave.
Reagimi i kompanisë erdhi pas disa publikimeve në media se kjo kompani do të zëvendësohet nga kompania gjeorgjiane “Reformatics”.
Sipas njoftimit, kompania “Crown Agents” ka ndihmuar këshilltarët e “Reformatics” gjatë vizitës së tyre të parë në Shqipëri. “Ne po ndajmë me ta sa më shumë informacion që të jetë e mundur për t’i ndihmuar në punën e tyre dhe mirëpresim eksperiencën e çmuar që ata kanë në reformimin e doganave dhe tatimeve. Gjatë fundjavës ne u takuam me këshilltarin e Reformatics për doganat dhe besojmë se ishim plotësisht dakord për sa i përket shumë prej çështjeve që duhen adresuar”, thuhet në njoftimin për shtyp.
“Crown Agents” bën të ditur se gjatë 20 muajve të parë të programit të tyre ka identifikuar mbi 3500 raste evazioni fiskal apo lloje të tjera mashtrimesh në dogana, çka sipas saj, do të thotë mbi 180 raste çdo muaj. Vetëm në 8 muajt e fundit, informon kompania, kemi identifikuar minimalisht 13 milionë euro të ardhura të cilat në të kundërt nuk do të ishin mbledhur dhe nëse disa prej shkeljeve të rënda do të hetohen siç duhet, kjo shifër mund të dyfishohet shumë lehtë brenda fundit të këtij viti. Për sa i përket zbatimit të ligjit, kompania bën të ditur se shkalla e zbulueshmërisë së grupeve të saj është 25%, krahasuar me 1%-in e stafit të administratës doganore përgjegjës për kufijtë dhe zbatimin e ligjit.
“Ne kemi identifikuar gjithashtu 80 raste të verifikuara korrupsioni dhe shpërdorimi brenda doganave, si edhe kemi mbështetur administratën doganore për procedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të këtyre individëve. Ne kemi bërë mbi 50 rekomandime specifike gjatë vitit të parë, të cilat kanë pasur të bëjnë me organizimin dhe menaxhimin, masat për rritjen e mbledhjes së të ardhurave, masat për uljen e korrupsionit, si edhe masat për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes. Ne kemi dorëzuar gjithashtu një sërë raportesh të detajuara për fusha specifike të tilla si riorganizimi strukturor, puna ndërinstitucionale, kontrolli i produkteve të akcizës dhe vlerësimi doganor. Të gjitha këto rekomandime dhe propozime janë në përputhshmëri dhe synojnë aplikimin e standardeve dhe praktikave më të mira të Bashkimit Evropian. Diskutimet në lidhje me momentin e implementimit të këtyre propozimeve vazhdojnë dhe kur ato të jenë implementuar plotësisht, efektiviteti i administratës doganore do të mund të rritet ndjeshëm”, citohet njoftimi për mediat.
Mediat në vend publikuan pak ditë më parë lajmin se kompania “Crown Agents” ka dështuar në programin e saj me qeverinë shqiptare dhe se ajo do të zëvendësohet me kompaninë gjeorgjiane “Reformatics”.