Ç’tregon sufiçiti 8-mujor i Buxhetit të Shtetit?
Nga Fatos Çoçoli
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në periudhën janar–gusht 2026, buxheti i Shtetit rezultoi me një sufiçit prej 61.6 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro. Ky rezultat është i rëndësishëm, jo vetëm si tregues i gjendjes së financave tona publike, por edhe për hapësirën që qeveria ka për të mbështetur politikat sociale, investimet dhe ekonominë.
Sufiçiti mundëson shpërblimin e lartë të pensionistëve për Vitin e Ri 2027
Për shembull, kjo do të thotë se, për shkak të sufiçitit, qeveria këtë dhjetor do ta mbajë premtimin të harzhojë 64 milionë euro buxhetore, për shpërblimin e Vitit të Ri 2027 për të gjithë 755 mijë pensionistët tanë. Pa këtë sufiçit, mund të kishim shpërblim, por me herë më të ulët, pse aq do të ishin mundësitë e buxhetit.
Një sufiçit buxhetor do të thotë se, gjatë periudhës janar-gusht 2026, të ardhurat buxhetore kanë tejkaluar shpenzimet. Një financë publike më e fortë krijon mundësi më të mëdha për financimin e politikave sociale. Jo vetëm për pensionet, por edhe për pagat në shtet, për ndihmën ekonomike, mbështetjen për familjet, arsimin publik dhe shëndetësinë publike. Me këtë sufiçit të lartë, qeveria ka më shumë mundësi të ndërhyjë në sektorët ku nevojat sociale janë më të mëdha, pa krijuar domosdoshmërisht presion të ri mbi borxhin tonë publik.
Sufiçiti ishte një nga arsyet themelore pse indeksimi i pensioneve me 2.7 përqind për këtë vit nuk ndodhi më tetor, por nisi që më 1 korrik 2026. Dy muaj më herët me vlerë 1.9 miliardë euro(shuma e pensioneve të 755 mijë pensionistëve për një vit), shumëzuar me 2.7 përqind indeksimin bëjnë 51 milionë euro. Kjo shtesë erdhi dy muaj më herët, ose 102 milionë euro më shumë në xhepin e pensionistëve tanë, për shkak të indeksimit dy muaj më herët.
E njëjta logjikë vlen edhe për familjet me të ardhura të ulëta, fëmijët dhe grupet vulnerabël. Një buxhet me sufiçit të dukshëm, me të ardhura 11.7 përqind më shumë se periudha janar-gusht 2025, pra një buxhet më i shëndetshëm, krijon më shumë hapësirë për politika më të gjera dhe të thelluara sociale.
Mundësi më të mëdha për investime publike
Sufiçiti nuk duhet parë vetëm në funksion të konsumit publik. Një financë më e qëndrueshme krijon edhe mundësi për investime publike më të mëdha. Këtë vit janë shtuar dhe po rriten investimet në rrugë, ujësjellës-kanalizime, energji, arsim publik, shëndetësi publike dhe infrastrukturë digjitale, pikërisht pse buxheti me sufiçitin që ka, na lejon.
Investimet publike rrisin produktivitetin e ekonomisë sonë, përmirësojnë klimën e biznesit dhe tërheqin më shumë investime private.
Nga ana tjetër, një rezultat pozitiv buxhetor ndihmon edhe në konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit publik. Nëse të ardhurat rriten më shpejt se shpenzimet dhe kjo prirje është e qëndrueshme, nevoja për huamarrje të re mund të kufizohet.
Kjo ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë, sepse ulja e borxhit në raport me PBB-në përmirëson qëndrueshmërinë e financave tona publike.
Ekonomia jonë është e ekspozuar ndaj zhvillimeve ndërkombëtare. Çmimet ndërkombëtare të energjisë, inflacioni në Eurozonë, normat e interesit dhe zhvillimet gjeopolitike ndikojnë në ekonominë tonë. Një pozicion më i fortë fiskal i jep shtetit dhe qeverisë sonë një kapacitet më të madh reagimi.
Sufiçiti dhe përfitimi për ekonominë private
Një buxhet i qëndrueshëm ka rëndësi edhe për biznesin. Financat publike më të parashikueshme ulin pasigurinë mbi politikat fiskale dhe krijojnë një mjedis më të qëndrueshëm për investimet private. Nëse ulja e nevojës për huamarrje të qeverisë shoqërohet me kushte më të favorshme financimi, kjo mund të krijojë më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat.
Nëse rezultati i mirë buxhetor konfirmohet gjatë gjithë vitit, politika ekonomike e qeverisë mund të fokusohet më shumë tek programet sociale (7 mijë apartamentet sociale, 5 mijë kredi pa interes, ose me interes 3 përqind, etj.) dhe tek investimet publike në infrastrukturë dhe në teknologji.
Deri tani, sufiçiti prej 61.6 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro, për periudhën janar–gusht 2026, është një tregues i rëndësishëm i performancës së financave tona publike. Nëse ai shtohet edhe më në këto katër muajt e fundit të këtij viti, atëhere rritja jonë ekonomike mund të jetë edhe afër 4 përqindëshit këtë vit.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.