☀️
Tiranë 9°C · Kthjellët 22 Nëntor 2026
S&P 500 6,910 ▼3.7%
DOW 48,147 ▼1.93%
NASDAQ 22,618 ▼5.28%
NAFTA 83.41 ▲1.18%
ARI 3,515 ▼4.62%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0974 EUR/GBP 0.8381 EUR/CHF 0.9222 EUR/ALL 90.1718 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6374 EUR/TRY 55.5320 EUR/JPY 174.18 EUR/CAD 1.5725 EUR/USD 1.0974 EUR/GBP 0.8381 EUR/CHF 0.9222 EUR/ALL 90.1718 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6374 EUR/TRY 55.5320 EUR/JPY 174.18 EUR/CAD 1.5725
₿ CRYPTO
BTC $59,380 ▲ +1.85% ETH $1,667 ▲ +3.54% XRP $0.9186 ▲ +2.6% SOL $69.4500 ▲ +2.33%
S&P 500 6,910 ▼3.7 % DOW 48,147 ▼1.93 % NASDAQ 22,618 ▼5.28 % NAFTA 83.41 ▲1.18 % ARI 3,515 ▼4.62 % S&P 500 6,910 ▼3.7 % DOW 48,147 ▼1.93 % NASDAQ 22,618 ▼5.28 % NAFTA 83.41 ▲1.18 % ARI 3,515 ▼4.62 %
EUR/USD 1.0974 EUR/GBP 0.8381 EUR/CHF 0.9222 EUR/ALL 90.1718 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6374 EUR/TRY 55.5320 EUR/JPY 174.18 EUR/CAD 1.5725 EUR/USD 1.0974 EUR/GBP 0.8381 EUR/CHF 0.9222 EUR/ALL 90.1718 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6374 EUR/TRY 55.5320 EUR/JPY 174.18 EUR/CAD 1.5725
22 Nën 2026
Breaking
Opinion

Si protesta po e pengon integrimin evropian?

Referat shkencor i Nesti Angonit, përgatitur për takimin e radhës të kryeministrit me studentët

Nga THOMA GËLLÇI

Të nderuar studentë,

Integrimi evropian është një proces shumë i ndërlikuar, të cilin nuk mund ta kuptojë kushdo. Kjo është arsyeja pse kam vendosur ta trajtoj çështjen në mënyrë shkencore dhe përfundimtare. Protestat na largojnë nga rruga e suksesshme e Integrimit Evropian dhe njëkohësisht nga përfitimet e shumta që rrjedhin prej këtij procesi. Prandaj, në disa pika do t’i përgjigjemi pyetjes themelore: çfarë do të përfitojë Shqipëria dhe shqiptarët kur kryeministri ynë, zoti Edi Rama, do ta integrojë vendin në Bashkimin Evropian?

Së pari, sipas Kartës së Themelimit të BE-së, parimi kryesor është demokracia. Kur kryeministri Rama të na integrojë në Evropë, qytetarët e Shqipërisë do të kenë të drejtë të zgjedhin lirisht, të kërkojnë llogari nga qeveria dhe madje ta ndërrojnë atë nëse nuk janë të kënaqur.

Mirëpo, çfarë po bëjnë protestuesit? Po kërkojnë zgjedhje të lira, përgjegjësi të qeverisë dhe ndryshim të pushtetit që tani! Kjo është e papranueshme. Demokracia është një nga përfitimet që do të marrim pas integrimit. Nëse fillojmë ta zbatojmë përpara, atëherë çfarë do të na mbetet për të fituar kur të hyjmë në Evropë?

Së dyti, kur kryeministri Rama do të na integrojë në Evropë, do të na garantohet shteti i së drejtës. Kjo do të thotë se askush nuk do të jetë mbi ligjin. As kryeministri, as ministrat, as presidenti.

Por pikërisht këtu shfaqet rreziku i protestës. Protestuesit kërkojnë që askush të mos jetë mbi ligjin që tani. Kërkojnë drejtësi të pavarur që tani. Kjo nxitje është e papërgjegjshme. Nëse i zbatojmë sot të gjitha këto, atëherë kemi përmbushur një pjesë të kushteve të Evropës pa pritur që zoti Edi Rama të na fusë në Evropë. Në këtë mënyrë rrezikojmë të shkatërrojmë të gjithë planin e integrimit, i cili është hartuar pikërisht për t’i realizuar këto gjëra në të ardhmen.

Së treti, kur zoti Rama do të na integrojë në Evropë, do të kemi liri fjale, liri organizimi, liri proteste dhe të drejtën të mos dhunohemi nga policia për bindjet tona politike.

Protestuesit, për fat të keq, kërkojnë t’i kenë këto të drejta menjëherë. Ata duan të protestojnë pa u penguar, të kritikojnë qeverinë pa u kërcënuar dhe të mos goditen nga policia edhe sot. Pra, duan të sillen si qytetarë evropianë përpara se Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo është një shkelje flagrante e kalendarit të integrimit. Nuk mund të kërkosh sot të drejtën që qeveria ka premtuar se do ta kesh nesër. Në të kundërt, çfarë kuptimi do të kishte premtimi?

Së katërti, kur kryeministri do të na integrojë në Evropë, do të kemi barazinë para ligjit. Qytetari i zakonshëm dhe ministri do të trajtohen njësoj. Askush nuk do të ketë privilegje për shkak të postit, pasurisë apo lidhjeve politike.

Por edhe këtu protesta po krijon probleme serioze. Protestuesit kërkojnë që ministri dhe qytetari të trajtohen njësoj që tani. Por çfarë do të ndodhte nëse kjo kërkesë plotësohej? Ministrat mund të humbnin privilegjet përpara se të përfundonin detyrën historike të integrimit. Disa mund të përfundonin edhe përpara drejtësisë. Atëherë kush do të na çonte në Evropë? Është e qartë se protesta, duke kërkuar barazi para ligjit, rrezikon të na lërë pa ata njerëz që po punojnë për të na e sjellë këtë barazi.

Së pesti, Bashkimi Evropian na garanton pluralizmin politik. Kur zoti Rama të na integrojë në Evropë, njerëzit mund të kenë mendime të ndryshme, të kritikojnë qeverinë dhe të krijojnë alternativa të reja politike.

Por çfarë po ndodh sot? Protestuesit kanë mendime të ndryshme nga qeveria. Madje kanë arritur deri aty sa të kërkojnë që politika e vjetër të largohet nga skena. Kjo nuk mund të ndodhë përpara anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Një veprim i tillë nuk mund të tolerohet, sepse rrezikon të ardhmen. Prandaj, derisa të hyjmë në Evropë, duhet të ruajmë me kujdes mendimin e përbashkët. Kush dëshiron të mendojë ndryshe, mund të presë. Evropa nuk largohet, kurse qeveria mund të largohet, dhe kjo do të ishte katastrofë për integrimin.

Së gjashti, Bashkimi Evropian respekton dinjitetin njerëzor. Kur zoti Edi Rama të na integrojë në Evropë, çdo qytetar do të ketë të drejtë të trajtohet me respekt nga shteti. Por protestuesit kërkojnë të mos fyhen, kërcënohen apo poshtërohen që tani. Ky është nxitim i pajustifikueshëm. Dinjiteti është vlerë evropiane dhe duhet të merret pas anëtarësimit, jo me iniciativë personale.

Së shtati, në Evropë do të kemi institucione që japin llogari. Qeveria do të shpjegojë ku shkojnë paratë, si jepen tenderat dhe kush përfiton prej tyre. Mirëpo protestuesit i kërkojnë këto shpjegime sot. Madje duan të dinë edhe emrat e përfituesve! Kjo është ndërhyrje flagrante në punët e qeverisë. Nëse ministrat humbasin kohën duke shpjeguar tenderat e djeshëm, kur do të kenë kohë të përgatisin tenderat e nesërm? Dhe, mbi të gjitha, kur do të merret kryeministri me integrimin?

Së teti, Evropa na garanton mbrojtjen nga diskriminimi. Edhe ata që nuk e duan qeverinë do të kenë të njëjtat të drejta me ata që e duan. Por protestuesit kërkojnë barazi që tani. Kjo do ta vinte qeverinë në një pozitë tepër të vështirë. Ajo nuk do të mund të dallonte më qytetarët që e mbështesin nga ata që e kundërshtojnë. Mund të ndodhte që një kundërshtar të merrte shërbimin që i takon pa qenë nevoja të bëhej më parë socialist. Ky do të ishte një precedent i rrezikshëm për administratën publike.

Së nënti, kur zoti Rama të na fusë në Evropë, do të kemi administratë profesionale dhe institucione të pavarura nga partitë. Por protestuesit kërkojnë që administrata të mos përdoret politikisht që tani. Kjo është kërkesa më e rrezikshme. Nëse administrata bëhet e pavarur, kush do t’i mbushë sallat e takimeve me kryeministrin ku ai do të shpjegojë integrimin? Kush do të duartrokasë ministrat? Kush do të shpërndajë në Facebook sukseset historike të qeverisë në prag të integrimit? Dhe, nëse nëpunësit fillojnë të merren vetëm me punët e shtetit, kush do të merret me punët e partisë?

Të nderuar studentë,

Nga kjo analizë shkencore del një përfundim i pakundërshtueshëm: protesta po kërkon sot pikërisht ato të drejta që kryeministri ka premtuar të na i sjellë nesër. Kjo përbën një përpjekje për t’ia marrë qeverisë meritën historike të integrimit.

Demokracia duhet të jetë objektiv, jo praktikë e përditshme. Drejtësia duhet të jetë e pavarur, por jo aq sa të shqetësojë qeverinë. Protesta duhet të jetë e lirë, por vetëm pasi të mos ketë më arsye për të protestuar. Ndërsa barazia para ligjit duhet të zbatohet me kujdes, sepse mund të ndodhë që ata që po na çojnë në Evropë të përfundojnë në burg përpara se të arrijnë atje.

Prandaj, shqiptarët duhet të kuptojnë një të vërtetë të madhe shkencore: nuk mund të lejohet që kërkesat për demokraci të rrëzojnë qeverinë që ka marrë përsipër të na integrojë në Evropë.

Në fund të fundit, nëse i realizojmë sot të gjitha vlerat evropiane, për çfarë do të na duhet nesër Bashkimi Evropian?

Faleminderit për vëmendjen!

 

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.