Dako-Hongzhu: Nxitje investimeve kineze në Durrës
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako zhvilloi një takim me delegacionin e nivelit të lartë kinez që vizitoi Durrësin, i kryesuar nga Zhao Hongzhu, Sekretari i Sekretariatit te Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe Zv/Sekretari Komitetit Qendror të Partisë Komuniste për Inspektim Disiplinor të PKK.
Në përbërje të këtij delegacioni ishin edhe dy ministra të qeverisë kineze, ndërkohë që delegacioni shoqërohej edhe nga ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Jiang Yu. Zhao Hongzhu u ndal te rritja e interesimit të biznesit kinez përsa i përket shumë sektorëve në Durrës, por edhe në të gjithë vendin.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako bëri një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Dako u ndal veçanërisht në sektorin ekonomik ku përshkroi rolin e rëndësishëm në ekonominë e të gjithë Shqipërisë të portit të Durrësit.
Ai tha se “Durrësi ka çfarë ti ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai kërkoi një nxitje më të madhe të investitorëve kinezë për të investuar në Durrës”. Dako u ndal edhe në fushën e turizmit, duke i njohur zyrtarët kinezë me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj.
Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Ai shtoi Bashkia e Durrësit ka marrëdhënie shumë të mira me Kinën dhe këto marrëdhënie janë të konkretizuara dhe në dy marrëveshje bashkëpunimi me dy bashki të Kinës dhe pikërisht me Bashkinë e Ningbo dhe të Shantout.
Nga ana e tij, Sekretari i Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Zhao Hongzhu, deklaroi se qëllimi i kësaj vizite ishte nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit midis qeverisë kineze dhe Shqipërisë.