Ekonomia

Dalja në tregjet ndërkombëtare me Eurobondin e ri, në nëntor/ Denaj: Nxitje për të rritur ekonominë

Qeveria shqiptare parashikon të dalë në muajin nëntor në tregjet ndërkombëtare për të emetuar Eurobondin e ri me vlerë rreth 500 milionë euro.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bën të ditur se ka nisur procedura për të përzgjedhur konsulentin juridik e financiar dhe gjithçka do të jetë gati në mesin e muajit tetor.

Sipas saj, dalja në tregje do të kushtëzohet nga dy elementë: së pari, tregjet ndërkombëtare dhe luhatshmëria e tyre, dhe së dyti, nga nevoja për mbulim të likuiditetit.

“Besoj se nëntori është një muaj shumë i mirë për të parë të dy këto elementë. Shuma do të jetë rreth 500 milionë euro. Ne kishim parashikuar në projektbuxhetin afatmesëm të dilnim në 2022-shin, por e kemi afruar. Kjo nuk do të thotë që po të kemi nevojë, të mos dalim përsëri vitin që vjen. E gjithë kjo ka lidhje me treguesit ekonomikë. Sa më shumë injeksion në treg, aq më shumë ofrohet nxitje për të rritur ekonominë”, u shpreh Denaj gjatë një interviste në medie.

Shqipëria mbylli daljen e saj të katërt në tregjet e kapitalit në qershor të vitit që lamë pas duke emetuar me sukses një Eurobond me vlerë 650 milionë euro, me kupon 3.5 % dhe me normë interesi të tregtimit 3.625 %.

Kjo është hera e pestë që vendi ynë i drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e Eurobondit.

Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7.5 %) dhe është shlyer në vitin 2015. Eurobondet e mëpasshme dhe të cilat janë ende aktive (të pashlyera plotësisht) janë:

Eurobondi i emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 4.75 %, Eurobondi i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.5 %.

Gjatë emetimeve të njëpasnjëshme Shqipëria ka shënuar sukses, duke mundësuar emetime me kosto gjithnjë e më të ulëta, kjo për shkak të kredibilitetit të rritur në sytë e investitorëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button