“DEA OPEN AIR” sjell në Sarandë tri net me kinematografi shqiptare
Festivali i filmit “DEA OPEN AIR” vijon të promovojë kinematografinë shqiptare, krijimin e hapësirave të reja të shfaqjes dhe forcimin e marrëdhënieve mes autorëve, veprave dhe publikut.
Në kuadër të kësaj nisme vjen dhe programi FOCUS CineKO, i cili nis sot në qytetin e Sarandës dhe që do të vijojë për tri net rresht. FOCUS CineKO sjell për publikun tri prodhime përfaqësuese të kinematografisë shqiptare të realizuar përtej kufijve të Shqipërisë.
Programi synon të sjellë në vëmendje filma, autorë dhe përvoja artistike që, megjithëse krijohen në vende të ndryshme, i përkasin një hapësire të përbashkët gjuhësore dhe kulturore.
“DEA OPEN AIR” vlerëson se, kinematografia shqiptare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në vende të tjera të rajonit ka krijuar gjatë viteve të fundit një profil gjithnjë e më të dukshëm. Ajo është përfaqësuar në festivale ndërkombëtare, ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe ka dëshmuar se bashkëpunimi ndërmjet kineastëve shqiptarë mund të prodhojë vepra me identitet të spikatur artistik dhe me potencial për të komunikuar me një publik të gjerë.
Programi FOCUS CineKO synon të nxisë qarkullimin e prodhimeve shqiptare në rajon dhe të mbështesë idenë e një tregu më të hapur kulturor e kinematografik.
“DEA OPEN AIR” fton publikun e Sarandës por edhe vizitorët e qytetit të bëhen pjesë e tri mbrëmjeve, në shëtitoren e qytetit, për të zbuluar filma të rinj, për t’u ritakuar me vepra të vlerësuara dhe për të përjetuar një udhëtim në kinematografinë shqiptare përtej kufijve. Hyrja në këtë event do të jetë e lirë.
Mbrëmja e parë do të çelet me filmin “Karma”, me regji të Esat Fejzës.Të shtunën, më 19 shtator, programi do të vijojë me filmin “Krejt e thirrin Rexhon”, me regji të Ibër Dearit. Dita e diel i kushtohet filmit “Cirku fluturues”, me regji të Fatos Berishës. Ndërsa në mbyllje të programit rikthehet në Sarandë filmi “Cirku fluturues”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.