Debate për kërkesën e Prokurorisë, PD: Të shtyhet seanca 48 orë, duam prova. Rama, Dules: Respekto rregulloren, Meta: Durim, gjërat do të zbardhen
Kuvendi i Shqipërisë do të votojë sot kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve,Tom Doshi dhe Mark Frroku, pas vendimit unanim që ka marrë mbrëmë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Grupi parlamentar i PD-së ka vendosur disa minuta para nisjes së seancës, të mos marrë pjesë në votimin për arrestimin e dy deputetëve. Njëkohësisht, ka kërkuar të publikohet përgjimi ambiental ndërmjet deputetit Doshi dhe atentatorit Durim Bami në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe të lexohet raporti i saj për vendimin e Këshillit të Mandateve, ku nuk u lejua të pranohen prova shtesë nga Doshi.
Deputeti Tom Doshi nuk është i pranishëm në seancë, ndërsa Kreu i Kuvendit, Ilir Meta është ulur pranë deputetëve të LSI-së dhe e ka lënë drejtimin e seancës në dorën e nënkryetarit Vangjel Dule.
Kësisoj, sot në rendin e parë të ditës do të jetë: “Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm “Për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku”.
Shqyrtimi në seancë do të bëhet në varësi të paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin sipas nenit 118/4 të Rregullores. Pasi të shprehen deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, do të bëhet pParaqitja e raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin Koha e votimit.
BERISHA: PO BËHET GJITHÇKA PËR TË MBROJTUR NJË NJERI QË KA POROSITUR DY VRASJE
Ora 11:00- Dule: Është një çështje që u diskutua edhe në Këshill. Kodi i procedurës penale është amenduar në vitin 2014, tashmë kërkohet shprehimisht vetëm relacioni. Seanca plenare nuk është lexim ligjesh.
Berisha: Së pari nuk e di zoti Dule, por si e ndjen veten ti që ulesh në vend të Ilir Metës. Ndjehesh komod që të kanë ngarkuar një rol, të një njeriu që është akuzuar për dy vrasje. Të një njeriu, i cili në akt të pashembullt, bllokon paraqitjen e provës, për faktin e vetëm se i ka dërguar në qeli Durim Bamit, Xhelatin duke i thënë se unë të pres kokat e fëmijëve nëse guxon të thuash të vërtetën. Në rast se ky është trillim, ai që e ka trilluar meritonte ndjekje vetëm për të. Por në rast se është e vërtetë në banko duhet të ishte Ilir Meta. Ti je PBDNJ dhe sensi i të drejtës është baza mbi të cilën është themeluar partia juaj. E vërteta është se vetë Prokuroria ka faktuar njohjen e Mark Frrokut me Durim Bamin. Të gjitha këto çojnë tek Ilir Meta. Ne nuk bllokojmë kërkesën e Prokurorisë, por e vërteta është se ekziston një përgjim se Ilir Meta i ka çuar në qeli xhelatin Durim Bamit. Nuk i mohohet kërkesa deputetit për provën. Po bëhet gjithçka për të mbrojtur një njeri që ka porositur dy vrasje. Ngjan si zëdhënës.
Dule: Ju jeni në të drejtën tuaj, por ju lutem ka edhe disa rregulla loje. Midis të cilave ka të shkruara dhe të pashkruara. Drejtimi i seancës Nuk keni arsye të humbisni fisnikërinë e ballafaqimit politik.
RAMA: RESPEKTONI RREGULLOREN, NDRYSHE PS DO IKË NGA SEANCA
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar respektimin e rregullores nga kryesuesi i seancës, Vangjel Dule. Rama tha se nëse nuk respektohet rregullorja, PS do të braktisë seancën.
Rama: Ky nuk është klubi i shtëpisë së oficerëve. Ju lutem respektoni rregulloren dhe ti japim fund historisë ku çdo të enjte bëhemi dëshmitarë të thyerjes së rregullores. Muhabet e shpish së oficerëve ti bëjnë në shtëpinë e oficerëve.
DEPUTETET E OPOZITES THIRRJE METES “JEP DOREHEQJEN”, KREU I KUVENDIT: DURIM, GJERAT DO ZBARDHEN
Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka marrë fjalën për të folur por është shoqëruar nga thirrjet e deputetëve të opozitës, të cilët i kanë kërkuar të japë dorëheqjen. Meta e ka quajtur Berishën, zëdhënës të Tom Doshit dhe deputetët e PD-së avokatë të tij.
Meta: I nderuar zoti drejtues i seancës. Zoti Beqaj ilaçet, ilaçet zoti Beqaj. Personalisht ndjehem shumë mirë që jam si deputet. Jam këtu për t’ju përgëzuar për tolerancën tuaj të jashtëzakonshme zoti Dule dhe t’ju kritikoj për intolerancën e treguar pak më parë.
Keni bërë të gjitha veprimet që duhet për një procedurë transparente. I filluan krizat zoti Beqaj, ju lutem ilaçet. Këtë falsifikator keni marrë përsipër të mbroni, merreni dhe dilni edhe në fushatë me të. Patjetër edhe në Shkodër.
Deputetët e opozitës: Jep dorëheqjen.
Dule: Zonja Topalli mos bllokoni vijimin e seancës.
Meta: Deputeti kishte 5 avokatë, 2 privatë dhe 3 deputetë të opozitës. Përgëzoj avokatët për mbrojtjen. Me qetësi dhe dashur mos nxitoni. Zoti Dule keni treguar një durim të paparë, ku një keqbërës i ka treguar gishtin prokurorëve. Ju kërkoj të respektoni kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD-së, ti jepni mundësi zotit Halimi të paraqesë qëndrimin ose raportin e tij. Për sa i takon atyre çfarë tha zëdhënësi i Tomës për xhelatit, nuk kam asgjë.
Nuk kam asnjë qëndrim për pantonimën që tregoi Toma dje. Nuk keni as ju interes që të bëhet publike, sepse bëhet e vlefshme. Ju kërkoj të keni durim sepse gjërat do të zbardhen. Patjetër dhe dashuri për doktorin, mbrapa.
ORA 10:55 TOPALLI: PROKURORIA TE SJELLE PROVAT BASHKE ME RELACIONIN, S’GJYKOHET PA PROVA
Topalli: Z.kryesues i seancës. Në Kuvend ka një arkivë . Në momentin që vjen një relacion nga Prokuroria që kërkon leje për arrestim, ka një praktikë që Këshilli I rregullores kërkon ngjitur me relacionin e Prokurorisë, edhe provat. A ka mundësi të hapni arkivën dhe të shihni së paku një rast të ngjashëm të plotësimit, bashkë me relacionin e kërkesës? Ka prova të pafundme që Prokuroria është e detyruar të sjellë. Mohimi, vota kundër e mazhorancës për të mos pranuar, për të mos marrë provat shtesë, është një rast i paprecedentë. Nuk mund të gjykohet pa provë. Ju jeni kundër marrjes së provave. Ju kërkoj që t’I kërkoni prokurorisë, provat shtesë.
ORA 10: 45 DULE I KUJTON HALIMIT ÇFARE U THA DJE NE KESHILLIN E MANDATEVE PER SEANCEN E SOTME
Dule: “Atëherë z.Halimi, – po ju lexoj vendimin që morëm dje, procesverablin ku ju thatë se “jemi dakord me kërkesat e prokurorisë, por do ta themi edhe nesër në seancë.” Keni ndonjë kundërshtim për shtrembërim të të thënave tuaja? Doni raportin tuaj, dakord! Keni raportin tuaj. Znj.Topalli, doni fjalën për procedurë? Urdhëro.”
Halimi: Duhet të themi të vërtetën shqiptarëve. Pak minuta para nisjes së mbledhjes, ju kam telefonuar juve personalisht. Ju kam dërguar edhe një sms, 10 min. para se të mbyllej mbledhja, meqë ju nuk ekeni caktuar datën kur do të paraqitej raporti, opozita do të paraqitej me raportin e saj lidhur me çfarë u vendos në Këshillin e Mandateve.
ORA 10:40 HAPET SEANCA
N/Kryetari i Kuvendit Vangjel Dule hap seancën dhe prezanton rendin e ditës. Kryetari i grupit të PD-së, Paloka, kërkon që të lexohet raporti i PD-së nga Eduard Halimi lidhur me qendrimin e mbajtur dje në Këshillin e Mandateve. Dule u pranon kërkesën.
Ora 10:20 Deputeti Mark Frroku mbërrin në Kuvend, në seancën ku do të votohet për të.
Ora 10:02 PD vendos të mos marrë pjesë në votim. Njëkohësisht, kërkon të publikohet video-përgjimi ndërmjet deputetit Doshi dhe atentatorit Durim Bami si dhe të lexohet raporti i saj për vendimin e Këshillit të Mandateve.