Debati për ishujt, kryebashkiaku i Ankarasë acaron Athinën zyrtare
Ndonëse nuk është hera e parë, që marrëdhëniet greko-turke kalojnë orë të trazuara, 3 ditët e fundit mund të karakterizohen si të pazakonshme në dy dekadat e fundit, prej incidentit në ishullin Imia, ku vdekja e 3 oficerëve grekë nga rrëzimi i helikopterit të tyre për pak sa nuk u bë shkak, që dy vendet fqinje të gjendeshin në luftë.
Deklaratën e Presidentit Erdogan për rishikimini e Traktatit të Lozanës, që sipas tij i dha Greqisë me pa të drejtë disa ishuj të Egjeut, kryeministri grek Tsipras, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë e ka quajtur të rrezikshme për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për paqen në rajon.
Tsipras ka deklaruar gjithashtu se, pavarësisht shkaqeve që kanë nxitur këtë pozicionim të presidentit turk, Greqia nuk do të ndjekë këtë rrugë, por do të vazhdojë të mbetet shtyllë e paqes dhe e stabilitetit, si dhe një vend që mbron të drejtat e tij sovrane në bazë të ligjeve ndërkombëtare.
Edhe më e ashpër ishte deklarata e kreut të opozitës turke, sipas të cilit, vet Erdogan gjatë qeverisjes së tij i ka dhuruar Greqisë 16 ishuj, ndërsa frymën e dyshimit për kufijtë detarë në Egje përmbante edhe deklarata e Ministrisë së Jashtme turke.
“Në Turqi, pozita dhe opozita po zihen për gjëra që nuk u përkasin”, ka qenë përgjigjja e Ministrisë së Jashtme greke, që në deklaratën e saj thekson se, objekti i vetëm i bisedimeve paraprake dypalëshe ka qenë dhe është percaktimi i kufijve të shelfit kontinental, në pajtim me dispozitat dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
Deklarata më e fundit, të cilën mediet greke e quajnë sa provokuese, aq edhe qesharake, vjen nga kryebashkiaku i Ankarasë, që publikon në “Twitter” një hartë, në të cilën të gjithë ishujt e Egjeut të shënuar me ngjyrën blu, sipas tij i janë dhënë Greqisë nga Traktati i Lozanës.
Sipas analizave në shtypin grek, e gjithë kjo retorikë e rikthyer në skenë nga Erdogani, dikur reformator, i drejtohet më shumë audiencës së brendshme edhe asaj të jashtme në realitetin e trazuar pas puçit të dështuar ushtarak, me synimin të krijojë profilin e tij si një “Ataturk” i ri i kohëve të sotme.