Debitorët e OSHEE, qeveria miraton masa lehtësuese për familjet në nevojë
Qeveria ka miratuar një skemë lehtësuese për pagesën e prapambetur të energjisë elektrike. Ka qënë vetë kryeministri Edi Rama i cili ka bërë publik vendimin pas mbledhjes së qeverisë.
Janë 25.051 familje të cilat përfitojnë nga kjo skemë lehtësimi, ku do t’u falen të gjitha kamatvonesat. Bëhet fjalë për ato familje që janë përfituese të ndihmës ekonomike, dhe që kanë respektuar aktmarrëveshjen me OSHEE-në, për shlyerjen e kamatvonesës me këste mujore prej 1 mijë lekësh në muaj.
“Duke u nisur nga fakti se reforma në energji falë mbështetjes popullore që ka marë po jep rezultate shumë të mira, është vendosur që këtyre konsumatorëve barra e kamatvonesave tu hiqet përfundimisht përkundrejt një pagese në një herë të vetme prej 10 lekësh të reja, ose 100 lekë të vjetra. Mjafton që të paguajnë 100 lekë të vjetra dhe fshihet nga sistemi gjithë barra e kamatvonesës”, bëri të ditur kryeministri.
Kushti për të përfituar këtë ulje drastike është pagesa simbolike prej 10 lekësh të reja dhe përditësimi i të dhënave të kontratës. Afati maksimal i saj është 31 janari i vitit të ardhshëm.
Kryeministri bëri të ditur se konsumatorët që nuk kanë respektuar këto aktmarrëveshje, do tu jepet mundësia deri në 30 qershor të ndjekin shembullin e përfituesve të sotëm.
Lehtësia ka dhe për 7 mijë persona të tjerë që gëzojnë statusin e ndihmës, por që nuk kanë lidhur aktmarrëveshje lehtësuese. “Atëherë atyre do tu jepet mundësia e re nga OSHEE që të hyjnë në një marrëveshje të re, sigurisht jo me të njëjtin këst mujor por me një këst mujor të detyrimeve të prapambetura prej 1200 lekësh, dhe për të gjithë ata që do të zbatojnë rregullisht aktmarrëveshjen e re, siç bënë përfituesit e sotëm në fund të vitit të ardhshëm do t’u krijohet mundësia e fshirjes së kamatvonesave, me 20 lekë të reja”, bëri të ditur Rama.
Përfitues të këtyre lehtësirave janë edhe kategoritë e bizneseve. Janë rreth 4097 subjekte të kategorisë së biznesit të vogël, për të cilët në rast se kanë respektuar aktmarrëveshjen me OSHEE, kamatvonesa do u fshihet kundrejt një pagese simbolike prej 100 lekësh të reja. “Do të thotë që me një pagesë 1 mijë lekë të vjetra fshihet gjithë shuma e kamatvonesës. Këto biznese përfitojnë 2.9 mln dollarë dhe vlera mesatre për çdo subjekt llogaritetnë 700.945 lekë të vjetra. 2314 subjekte të tjera të kategorisë biznes që kanë detyrim të prapambetur më të vogël se 50 mijë lekë të vjetra, dhe kamatvonesë më të lartë se 50 mijë lekë të vjetra do të përfitojnë nga reduktimi i kamatvonesës në një masë prej 1 mijë lekë të reja”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se skema lehtësuese do të vijojë edhe me kategori të tjera.