Demo: Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës, së shpejti platforma “Help for You” kundër abuzimeve online
Në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ministri i Brendshëm Ervin Demo theksoi se mbrojtja e fëmijëve duhet të mbetet prioritet absolut për institucionet, duke njoftuar njëkohësisht ngritjen e platformës “Help for You”, e cila synon të ndihmojë të miturit që përballen me abuzime në internet.
Gjatë fjalës së tij, Demo tha se ngjarjet e fundit kanë treguar nevojën për angazhim më të madh institucional në mbrojtje të fëmijëve, duke nënvizuar se ata nuk duhet të përfshihen në situata dhune apo përplasjeje.
“Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kaosit. Mbrojtja dhe siguria e tyre janë një përgjegjësi absolute dhe e panegociueshme për të gjithë. Çdo veprim institucional duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i fëmijës dhe mbrojtja e tij nga çdo akt dhune”, u shpreh ministri.
Demo theksoi se mbrojtja e të miturve është një detyrim i panegociueshëm për institucionet shtetërore, pavarësisht rrethanave në të cilat ata gjenden apo mënyrës se si janë përfshirë në ngjarje të caktuara.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se Ministria e Brendshme po punon për krijimin e platformës digjitale “Help for You”, një projekt i zhvilluar nga Europol, i cili synon të ofrojë mbështetje dhe informacion për fëmijët nën moshën 18 vjeç që përballen me forma të ndryshme abuzimi në internet.
“Ministria e Brendshme është duke punuar për platformën ‘Help for You’, e zhvilluar nga Europol, e cila ndihmon fëmijët nën 18 vjeç që përballen me abuzime në internet. Ajo ka karakter informues dhe parandalues për mjedisin dixhital”, deklaroi Demo.
Sipas ministrit, platforma do të shërbejë si një instrument ndërgjegjësues dhe mbrojtës për të rinjtë, duke i ndihmuar ata të njohin rreziqet e hapësirës online dhe të raportojnë rastet e abuzimit apo shfrytëzimit në mjedisin dixhital.
Demo bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve, familjeve dhe shoqërisë për të garantuar sigurinë, mirëqenien dhe mbrojtjen e çdo fëmije.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.