Bota

Demokratët nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Trump

Dhoma e kontrolluar nga demokratët do të shqyrtojë nëse presidenti Trump ka kërkuar ndihmën e Ukrainës për të hedhur baltë mbi ish nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson garën e demokratëve si kandidat presidencial për zgjedhjet e vitit 2020.

Hetimet lidhen me një një telefonatë që presidenti Trump ka zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në të cilën aludohet se presidenti Trump i ka kërkuar bashkëbiseduesit të hetojë rreth rivalit të tij politik, Joe Biden.

“Askush nuk është mbi ligjin”, tha të martën kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Trump: Me presidentin ukrainas fola për çështje korrupsioni

Pas muajsh përmbajtjeje, zonja Pelosi u bind se veprimet e raportuara të presidentit Trump dhe refuzimi i administratës së tij për të ndarë hollësitë, nuk i lanë Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhje tjetër, pos të çonte përpara një hetim.

“Prandaj sot unë jam duke shpallur se Dhoma e Përfaqësuesve po ecën përpara me një hetim zyrtar lidhur me shkarkimin”, tha ajo.

Zonja Pelosi tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës që ka të bëjë me telefonatën midis zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë që administrata refuzon të dorëzojë përmbajtjen e ankesës.

Ajo tha se ishte e qartë se kreu në detyrë i inteligjencës kombëtare, Joseph Maguire po shkelte ligjin, duke mos lejuar që përmbajtja e ankesës t’i kalojë Kongresit.

REAGON PRESIDENT TRUMP

Presidenti Trump reagoi ashpër ndaj vendimit të demokratëve duke e cilësuar atë “ndjekje shtrigash”.

“Një ditë kaq e rëndësishme në Kombet e Bashkuara, kaq shumë punë dhe kaq shumë sukses, dhe demokratët me qëllim duhej ta prishnin atë me më shumë lajme me këtë ndjekje shtrigash”, shkroi ai në twitter, “A mund ta besoni këtë?”

BIDEN: TRUMP RREZIKON LARGIMIN

Ish-nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, aktualisht kandidat për president, i bëri thirrje më herët të martën presidentit Trump që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit mbi telefonatën që ka patur me presidentin ukrainas në të cilën thuhet se i ka bërë presion bashkëbiseduesit për të hetuar djalin e tij, Hunter. Përndryshe, shtoi zoti Biden, ai rrezikon të largohet nga posti.

“Nëse vazhdon të shkelë ligjin, Donald Trump nuk t’i lërë alternativë tjetër Kongresit, sipas mendimit tim, përveçse që ky i fundit të nisë procedurat e shkarkimit,” tha zoti Biden në një deklaratë të shkurtër në shtetin Delauer.

Biseda Trump-Zelenskiy, në qendër të polemikave

Presidenti Trump konfirmoi të martën i kishte thënë stafit të tij që të pezullonte rreth 400 milion dollarë ndihmë për Ukrainën, pak ditë para telefonatës me udhëheqësin ukrainas.

Konfirmimi erdhi ndërsa Presidenti po fliste me gazetarët në Kombet e Bashkuara, kur ai tha se kishte urdhëruar që ndihma të pezullohej me qëllimin për të bindur vendet evropiane të kontribuojnë më shumë ndihma.

“Sa i përket pezullimit të fondeve, ato fonde janë livruar tashmë,” tha Presidenti Trump. “Por ankesa ime ka qenë gjithmonë, dhe unë do t’i pezulloja përsëri e do të vazhdoj t’i pezulloj deri kur Evropa dhe vendet e tjera të kontribuojnë në Ukrainë,” tha Presidenti.

Ai u bëri thirrje Francës dhe Gjermanisë që “të kontribuojnë me para”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button