Denk: BERZH, mbështetje financimit të agrobiznesit në Shqipëri
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) së bashku me qeverinë, po nxisin zhvillimin e sektorit bujqësor, si pjesë e rëndësishme e ekonomisë, përmes programit “Mbështetje Agrobiznesit në Shqipëri”.
Një ditë pas nënshkrimit në Tiranë, të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe BERZH -it, për programin inovativ që synon rritjen e kreditimit në sektorin bujqësor, Drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, Christoph Denk, u shpreh në një intervistë eksluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), se programi i ri i financimit do të arrijë të përmirësojë mundësitë e kreditimit për agrobizneset në Shqipëri.
“Fondet e grantit qeveritar dhe pjesëmarrja e BERZH-it, do të ndihmojnë në reduktimin e kostos së riskut për institucionet financiare dhe do të stimulojë bankat që të rrisin aktivitetet e tyre kredituese në bujqësi”, tha Denk.
Kreu i BERZH-it, për Shqipërinë theksoi se, ky program synon të mbulojë të gjithë zinxhirin e vlerave për agrobiznesin, ndërsa marrëveshja do të bëhet efektive pas ratifikimit të saj nga parlamenti shqiptar.
Intervista e plotë me Christoph Denk, Drejtor i BERZH-it për Shqipërinë
Pyetje: Qeveria Shqiptare dhe BERZH nënshkruan marrëveshjen që synon rritjen e kreditimit në sektorin bujqësor, përmes garancisë së shtetit dhe BERZH-it. Si e konsideroni finalizimin e këtij bashkëpunimi risi dhe çfare pritet të sjellë zbatimi i këtij programi ?
Ky program do të promovojë dhe do të përmirësojë mundësitë e financimit për agrobizneset në Shqipëri duke adresuar hendekun e mundësive të financimit si një nga sfidat kryesore për zhvillimin e sektorit. Fondet e grantit qeveritar dhe pjesëmarrja e BERZH do të ndihmojnë në reduktimin e kostos së riskut për institucionet financiare partnere duke i nxitur ato që të zgjerojnë huadhënien për sektorin e agrobiznesit. Gjithashtu konkurenca midis huadhënësve do të çojë në norma më të përballueshme interesi për agrobizneset. Implementimi i suksesshëm i këtij programi në vijim të përpjekjeve paralele të qeverisë pritet të sjellë një përmirësim të përgjithshëm të produktivitetit të sektorit, ulje të fragmentimit, përmirësime teknologjike dhe infrastrukturore si dhe formalizimin e zinxhirit të vlerave në tërësi.
Pyetje: Në parim si do të zbatohet kjo skemë dhe cilat kategori do të përfitojnë ?
Projekti do të implementohet përmes pjesëmarrjes së institucioneve financiare partnere si bankat e nivelit të dytë dhe institucionet mikrofinanciare. Ky program synon të mbulojë të gjithë zinxhirin e vlerave për agrobiznesin përfshirë prodhimin, pajisjet, logjistikën, ofruesit e shërbimeve, agro-përpunimin, tregtimin me shumicë dhe pakicë.
Pyetje: Kur parashikohet të nisë zbatimi i programi ?
Marrëveshja do të bëhet efektive pas ratifikimit të saj nga parlamenti shqiptar. BERZH nga ana e saj, ka nisur prej kohësh bisedimet me bankat dhe institucionet mikrofinanciare. BERZH do të vazhdojë të punojë me to duke përfshirë asistencë teknike për ngritjen e kapaciteteve përkatëse, duke përgatitur marrëveshjet ligjore apo duke zhvilluar shërbimet këshillimore, të cilat do t’u ofrohen si huadhënësve dhe agrobizneseve.