Deputetja australiane përplaset nga një makinë, nisin hetimet për goditje të qëllimshme, autori mbante thikë
Deputetja e pavarur australiane, Helen Haines, ka mbetur me lëndime kritike pasi siç raportohet nga mediat e huaja, ajo u godit qëllimisht nga një automjet të hënën, jashtë zyrës së saj në Wangaratta, rreth 200 kilometra në veriperëndim të Melburnit.
Ngjarjen e ka cilësuar si sulm kryeministri australian, Anthony Albanese, i cili shprehu shqetësimin për gjendjen e deputetes dhe solidaritetin me familjen e saj.
Sipas policisë së shtetit të Viktorias, Haines, 65 vjeçe, pësoi lëndime të rënda dhe po merr trajtim mjekësor.
Shoferi 43-vjeçar u ndalua fillimisht nga disa qytetarë të pranishëm në vendngjarje dhe më pas u arrestua nga policia. Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet gjetën edhe një thikë.
“Ky nuk ishte një aksident. Ishte një akt i qëllimshëm”, deklaroi Albanese për transmetuesin kombëtar ABC.
Kryeministri australian shprehu mbështetjen e tij për deputeten, familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj, duke theksuar se shpreson për shërimin e saj të plotë.
Motivi i personit të dyshuar mbetet ende i paqartë. Ndërkohë, sipas autoriteteve, është aktivizuar edhe ekipi australian kundër terrorizmit për të ndihmuar në hetimin e ngjarjes.
Rasti vjen në një kohë kur autoritetet australiane kanë evidentuar një rritje të vazhdueshme të kërcënimeve dhe abuzimeve ndaj politikanëve në vend, çështje që ka ngritur shqetësime për sigurinë e përfaqësuesve publikë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.