KIEV – Zelensky kritikon aleatët për mungesën e paralajmërimeve për sulmet ruse me raketa
KIEV, 19 tetor /ATSH-Ukrinform/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi sot aleatët e vendit të tij, pasi sipas tij, ata sërish nuk e kishin paralajmëruar paraprakisht Ukrainën për sulmet ruse.
Zelensky tha në rrjetet sociale se Rusia kishte goditur objektet energjetike dhe infrastrukturën tjetër në disa rajone të Ukrainës, duke lënë të paktën 550 mijë familje pa energji elektrike.
“Një tjetër sulm rus me raketa balistike u krye gjatë natës, në disa valë, dhe sërish partnerët tanë nuk na dhanë paralajmërim paraprak”, shkroi ai.
Vetëm dje, Zelensky kishte deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin rifilluar shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Kievin, pas një periudhe gjatë së cilës Ukraina nuk kishte marrë të dhëna paraprake për lëshimin e raketave balistike ruse.
Në reagimin e tij të së hënës, Zelensky theksoi se furnizimi i Ukrainës me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore po “bllokohej”, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin lehtësuar Rusisë disa sanksione ose kishin shtyrë zbatimin e tyre.
Sipas raportimeve, Rusia kishte lëshuar 16 raketa balistike drejt Kievit dhe zonës përreth kryeqytetit.
Rajone të tjera të Ukrainës u sulmuan gjithashtu, sipas të njëjtave raportime, me më shumë se 200 dronë.
Sipas zyrtarëve, një grua 21-vjeçare u vra në Kiev, ndërsa tetë persona të tjerë u plagosën.
Ndërkohë, të paktën dy persona u vranë nga një sulm me raketa ruse në qytetin industrial të Krivi Rihut, në juglindje të Ukrainës, vendlindja e Zelensky.
Shtatë persona të tjerë u plagosën, njoftoi sot në “Telegram” guvernatori ushtarak i rajonit të Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha.
Sipas raportimeve, sulmi kishte në shënjestër një ndërmarrje industriale, emri i së cilës nuk u bë i ditur.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi sulmet ndaj Kievit dhe zonës përreth tij. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.