⛅
Tiranë 20°C · Pjesërisht vranët 21 Tetor 2026
S&P 500 7,762 ▲0.64%
DOW 52,715 ▲0.42%
NASDAQ 26,760 ▲1.27%
NAFTA 96.75 ▼1.09%
ARI 4,150 ▲0.17%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781 EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781
₿ CRYPTO
BTC $84,416 ▲ +1.94% ETH $2,506 ▲ +2.14% XRP $1.3773 ▲ +3.44% SOL $108.0000 ▲ +1.28%
S&P 500 7,762 ▲0.64 % DOW 52,715 ▲0.42 % NASDAQ 26,760 ▲1.27 % NAFTA 96.75 ▼1.09 % ARI 4,150 ▲0.17 % S&P 500 7,762 ▲0.64 % DOW 52,715 ▲0.42 % NASDAQ 26,760 ▲1.27 % NAFTA 96.75 ▼1.09 % ARI 4,150 ▲0.17 %
EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781 EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781
21 Tet 2026
Breaking
Maqedonia e Veriut

Dëshmitari në gjyqin “Lotaria”: Bordi drejtues nuk mori vendim të veçantë për blerjen e terminaleve videolotarike

Ish-anëtari i Bordit drejtues të Lotarisë Shtetërore, Hristo Najdanov, dëshmoi në Gjykatën Penale të Shkupit se blerja e terminaleve videolotarike nuk ishte pikë e veçantë e rendit të ditës, ndërsa mbrojtja e Përparim Bajramit thotë se vendimi u konfirmua përmes planeve financiare.

Bordi drejtues i SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka marrë vendim të veçantë për blerjen e terminaleve videolotarike (VLLT), as nevoja për blerjen e tyre nuk ka qenë pikë e veçantë e rendit të ditës, dëshmoi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ish-anëtari i Bordit drejtues Hristo Najdanov, siç njofton Fokus. Najdanov, anëtar i Bordit nga viti 2017 deri më 2 shkurt 2024, tha se gjatë mandatit të tij nuk është marrë vendim për blerjen konkrete të terminaleve.

Sipas raportimit të Fokus, dëshmitari deklaroi se për vetë blerjen ka mësuar nga mediat, ashtu si edhe për informacionin se terminalet e blera nuk janë në funksion. “Nuk e di çfarë ka ndodhur saktësisht me to, kur janë blerë apo cili është statusi i tyre”, tha Najdanov, duke shtuar se për zgjerimin e veprimtarisë së Lotarisë dhe organizimin e lojërave elektronike të fatit është biseduar edhe në kohën kur drejtoreshë ishte Katica Nikollovska Parnakova.

Ai përshkroi edhe mënyrën e punës së Bordit, veçanërisht pas vitit 2021, kur materialet dhe rendi i ditës kanë filluar të dorëzohen elektronikisht: në raste të caktuara anëtarët i merrnin dokumentet në mëngjes dhe pritej të prononcoheshin deri pasdite, pa kohë të mjaftueshme për analizë të hollësishme. Najdanov konfirmoi se në funksion ishte emëruar nga Qeveria, me propozim të partisë DOM, atëherë partnere koalicioni në pushtet.

Pas seancës reagoi mbrojtja e të akuzuarit të parë. Avokati i Përparim Bajramit, Elenko Milanov, deklaroi, siç përcjell Fokus, se vendimi për blerjen e aparateve është konfirmuar përmes planeve financiare të miratuara dhe planit të prokurimeve publike, ku blerja ishte paraparë për shkurt, dhe se është në përputhje të plotë me Ligjin për shoqëritë tregtare dhe Statutin e kompanisë. Sipas tij, Bordi mbikëqyrës, në bazë të nenit 33 të Statutit, ka marrë vendim me të cilin e ka ngarkuar drejtorin ta zbatojë blerjen, ndërsa vendimmarrja elektronike ka nisur në rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë.

Në lëndën “Lotaria Shtetërore” të gjithë të akuzuarve u vihet në barrë vepra penale keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar, sipas nenit 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 4 dhe 1, si dhe nenit 22 të Kodit Penal, për veprime të kryera gjatë viteve 2023 dhe 2024, vepër për të cilën parashikohet dënim me burg nga një deri në pesë vjet. I akuzuari i parë është ish-drejtori i përgjithshëm Përparim Bajrami, i dyti ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ndërsa në lëndë akuzohen edhe shtatë persona të tjerë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.