Detaje të reja nga seanca e sotme gjyqësore për ‘Grupin e Kumanovës’
Sot vazhdon seanca për 29 shqiptarët e akuzuar për terrorizëm nga ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovëi.
Nga të akuzuarit, Nasuf Zekaj ka deklaruar se urdhëri i Beg Rizajt ka qenë i prerë që të mos sulmohet policia, por të gjuhet me armë zjarri në ajër dhe se nuk kanë patur ndërmend që të luftojnë, prandaj ka bërë thirrje që ky rast të sqarohet deri në fund, njofton PlusInfo.
I akuzuari tjetër, Rufki Dogani, theksoi se gjashtë anëtarë të grupit u dorëzuan në polici, por janë vrarë brenda në stacionin policor. Ndërkaq, Valdet Zekaj ka deklaruar se prokuroria publike është duke e shfrytëzuar fjalën ‘’terrorizëm’’ për të mbuluar arsyet e vërteta të ‘’Lagjes së Trimave’’.
Avokati i Fabi Fejzullait, Ljupço Veselinovski, ka theksuar se janë të palogjikshme faktet e e aktit paditës për kinse futjen e këtij grupi në Kumanovë më 2 dhe 3 maj të vitit 2015, pasi që në atë ditë ka patur kongres një parti politike.
Mbrojtësi i Begim Kabashit, Elenko Millanov, në fjalën e tij, mes tjerash deklaroi se këto ngjarje të përshkruara në aktin paditës nuk mund të trajtohen si terrorizëm pasi që sipas teorisë së të drejtës, terrorizmi nënkupton ekzistimin e qëllimeve politike, dhunës ndaj institucioneve dhe ndaj qytetarëve për të shkaktuar frikë dhe terror, që në këtë rast nuk ekziston.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se klientët e tyre nuk janë të fajshëm dhe se të gjithë ata nuk kanë kryer e as që kanë marrë pjesë në grupe terroriste.