Dhomat e Specializuara refuzojnë ftesën e Avokatit të Popullit për tryezën për Specialen
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar ftesën e Avokatit të Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, për të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët ku prezantohen gjetjet dhe rekomandimet ex officio të institucionit të tij lidhur me Dhomat dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, siç njofton RTK.
Sipas komunikatës së Dhomave të Specializuara, refuzimi mbështetet në kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Neni 162, paragrafi 11 i Kushtetutës dhe neni 34, paragrafi 9 i ligjit përkatës ia japin Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera, përgjegjësinë ekskluzive për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me këtë institucion.
Dhomat kanë theksuar se mungesa e kompetencës së Avokatit të Popullit të Kosovës në raport me to i është komunikuar Qelajt edhe më herët, duke iu referuar një deklarate të mëparshme të institucionit. Në komunikatë përmendet edhe roli i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili mbikëqyr dhe inspekton objektin e paraburgimit për të garantuar respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare.
Sipas Dhomave të Specializuara, vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet nxirren nga gjyqtarë të pavarur e të paanshëm, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Palët që i kanë kundërshtuar këto vendime, sipas tyre, kanë pasur në dispozicion mjete juridike, përfshirë ankesat para Panelit të Apelit, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.
Tryeza e Avokatit të Popullit mbahet sot në Prishtinë, në kohën kur në Kosovë vazhdon debati institucional dhe publik për mandatin dhe vendimet e Gjykatës Speciale, pas aktgjykimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe nismave ligjore të ndërmarra në Kuvend.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.