Politika

“Dialogu ka 1 temë, qeveri teknike”, Basha: Zgjedhje pa opozitën s’ka për të patur kurrë

Lulzim Basha u kthye ne mbrëmje në çadrën e protestës dhe tha se opozitës nuk i mungon vullneti për të zgjidhur me dialog krizën e thellë politike.
Por sipas tij, dialogu ka vetëm një temë, qeveri teknike dhe mandati i saj do të jetë për zgjedhje të lira. Basha deklaroi se zgjedhje pa opozitën nuk ka për të patur kurrë.
“Ka qenë një ditë e gjatë, e lodhshme por absolutisht e suksesshme për opozitën, për qytetarët shqiptarë dhe e lavdishme për këtë lëvizje të pamposhtur popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Dua t’iu falenderoj nga zemra ju dhe mijëra qytetarë të tjerë që morën pjesë aktivisht në aksionin popullor të paralajmërimit dhe, provën e vendosmërisë tonë për ti shkuar deri në fund kauzës së drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qindra mijëra të tjerë vranë frikën dhe me zemrat e tyre u bashkuan me ne. E gjithë Shqipëria, të majtë e të djathtë u bashkuan me betejën e drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Koha po vjen. Ta kurorëzojmë këtë lëvizje me fitoren që gjithë shqiptarët presin. Nuk na mungon aspak vullneti dhe vendosmëria për ta zgjidhur krizën e thellë politike përmes një dialogu me kundërshtarët tanë politikë. Dialog që ka vetëm një temë; qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por edhe nëse ky vullnet mungon nga ana tjetër, sot kanë vetëm provën e parë, vetëm paralajmërimin e parë. Se, në këtë vend, zgjedhje pa opozitën nuk ka për të patur kurrë. Votime të diktuara nga krimi, droga dhe qeveria e kapur prej tyre nuk do të lejojmë. Kjo është kategorike dhe e pandryshueshme. Ndaj, le të marrim me vete sonte forcën dhe besimin e rigjetur të një populli të tërë për të qëndruar përballë një pakice kriminale oligarkësh, kriminelësh dhe pushtetarësh të korruptuar, forcë e cila buron nga tavani i drejtë i kërkesave dhe i kauzës popullore. Duke qëndruar mbi këtë tavan, duke qëndruar fuqimisht pas asnjë tërheqje nga kjo kauzë e drejtë popullore me forca të shumëfishuara, marshojmë të sigurt drejt Republikës së Re, republikës së çdo qytetari shqiptar. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët”, u shpreh Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button