Diplomacia e iniciatives

Takimi i presidentëve të Kinës, Rusisë dhe SHBA-së dëshmon se, përtej rivaliteteve dhe mospajtimeve strategjike, fuqitë e mëdha vazhdojnë ta konsiderojnë dialogun e drejtpërdrejtë si instrument të domosdoshëm për administrimin e krizave globale.
Për Kinën, ky format shpreh ambicien për t’u shndërruar në një qendër të diplomacisë botërore dhe të përcaktimit të rregullave ndërkombëtare. Për Rusinë, krijon mundësinë për të riafirmuar statusin e saj si fuqi globale, pavarësisht konfrontimit me Perëndimin për shkak të Ukrainës. Për SHBA-në, përfaqëson një instrument për të negociuar me dy rivalët strategjikë dhe për të identifikuar hapësira bashkëpunimi në çështjet e sigurisë.
Protagonisti strategjik i takimit të Shenzhenit është Presidenti kinez, Xi Jinping. Rëndësia e tij nuk qëndron thjesht te fakti se Kina ishte vendi mikpritës, por te mundësia që ky takim i dha Pekinit për t’u pozicionuar si një qendër ku jo vetëm diskutohen çështjet ndërkombëtare, por edhe ndikohet drejtimi i diplomacisë globale.
Për një kohë të gjatë, ngritja e Kinës është vlerësuar përmes fuqisë ekonomike, zhvillimit teknologjik dhe modernizimit ushtarak. Sot, ambicia e Pekinit shkon më tej: shndërrimi i këtyre kapaciteteve në ndikim mbi rregullat, institucionet dhe drejtimin politik të sistemit ndërkombëtar.
Duke krijuar hapësirën për një takim të përbashkët me presidentët amerikan dhe rus, Xi Jinping e pozicionoi Kinën jo thjesht si palë në rivalitetin ndërkombëtar, por si aktor që mund të mbledhë rivalët dhe të ndikojë në agjendën e tyre. Kjo është diplomacia e iniciativës: aftësia për të krijuar hapësirën diplomatike, për të përcaktuar agjendën dhe për të fituar kapital politik përtej rezultateve konkrete të negociatave.
Për Pekinin, kjo ka rëndësi edhe për imazhin ndërkombëtar. Në një periudhë kur rendi ekzistues po vihet në pikëpyetje dhe institucionet shumëpalëshe po përballen me kriza besueshmërie, Kina synon të paraqitet si një fuqi që ofron dialog dhe stabilitet. Megjithatë, imazhi i një fuqie stabilizuese duhet dalluar nga aftësia reale për të prodhuar zgjidhje të qëndrueshme. Ky dallim është veçanërisht i rëndësishëm në marrëdhëniet me SHBA-në. Kina kërkon njohjen e statusit të saj strategjik dhe ndikim më të madh në institucionet ndërkombëtare, por nuk ka interes që rivaliteti me Uashingtonin të shndërrohet në konfrontim të pakontrolluar. Pas gjuhës së bashkëjetesës paqësore dhe respektit të ndërsjellë qëndron një pyetje thelbësore: kush do të përcaktojë rregullat e kësaj bashkëjetese? Pikërisht këtu shfaqet konkurrenca strategjike ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit.
Takimi i Shenzhenit nuk duhet interpretuar si krijimi i një boshti të ri Kinë–Rusi–SHBA. Dallimet që ndajnë tri vendet janë tepër të thella. Kina dhe Rusia kanë afruar interesat strategjike, por marrëdhënia e tyre nuk përbën një aleancë të barabartë. Ndërsa SHBA-ja mbetet rivali kryesor sistemik i Kinës dhe kundërshtari strategjik i Rusisë për çështjen e Ukrainës.
Për Vladimir Putinin, pjesëmarrja në takim kishte rëndësi të veçantë politike. Prania në të njëjtën tryezë me dy liderët e tjerë i jep Moskës mundësinë të kundërshtojë izolimin diplomatik dhe të riafirmojë statusin e saj si fuqi globale. Megjithatë, varësia në rritje nga Kina dhe pabarazia e kapaciteteve ekonomike e vendosin Moskën në një marrëdhënie gjithnjë e më asimetrike me Pekinin.
Për Donald Trumpin, takimi përfaqëson një model të diplomacisë amerikane të mbështetur te negociimi i drejtpërdrejtë me rivalët dhe kërkimi i marrëveshjeve konkrete. Dialogu mund të ndihmojë në menaxhimin e rivaliteteve, por njëkohësisht mund t’u japë kundërshtarëve hapësirë për të fituar legjitimitet dhe njohje ndërkombëtare.
Deklarata e përbashkët e Shenzhenit duhet vlerësuar në këtë kontekst. Angazhimet për reformimin e OKB-së, sigurinë energjetike, respektimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë dhe dialogun për rreziqet bërthamore krijojnë një bazë të kufizuar koordinimi, por nuk përbëjnë një marrëveshje për ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar.
Veçanërisht domethënës është qëndrimi për Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Tri fuqitë theksuan sovranitetin shtetëror dhe respektimin e imunitetit të zyrtarëve, duke paralajmëruar rrezikun e keqpërdorimit të juridiksionit nga kjo gjykatë. Kjo prek një dilemë themelore të rendit bashkëkohor: raportin ndërmjet sovranitetit dhe përgjegjësisë ndërkombëtare. Sovraniteti është parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, por nuk mund të shkëputet nga detyrimet që burojnë prej saj. Një rend që mbron imunitetin e zyrtarëve pa garantuar mekanizma efektivë të përgjegjshmërisë rrezikon të dobësojë parimin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Edhe mungesa e angazhimeve konkrete për kontrollin dhe reduktimin e arsenaleve bërthamore është domethënëse. Tri fuqitë riafirmuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet, duke u angazhuar për dialog mbi reduktimin e rreziqeve dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore. Megjithatë, nuk pati objektiva të matshme apo një proces të ri negociatash për çarmatimin. Dialogu mbetet kështu instrument për menaxhimin e rrezikut, por jo mekanizëm për kufizimin e kapaciteteve bërthamore.
Një tjetër element domethënës është mungesa e referencave për luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Iran në deklaratën e përbashkët. Kjo heshtje dëshmon kufijtë e kompromisit dhe vështirësinë për të prodhuar qëndrime të përbashkëta për konfliktet ku interesat strategjike të tri fuqive janë të kundërta.
Megjithatë, fakti që nuk përmenden në deklaratën përfundimtare nuk nënkupton se këto çështje nuk u trajtuan gjatë takimit, por dëshmon vështirësinë për t’i shndërruar dallimet strategjike në qëndrime të përbashkëta.
Këtu bëhet i dukshëm dallimi ndërmjet suksesit të iniciativës diplomatike dhe suksesit të negociatave. Kina arriti të krijojë një format të rëndësishëm dialogu, por kjo nuk do të thotë se arriti t’i afrojë pozicionet e tri fuqive për çështjet më të vështira të sigurisë ndërkombëtare.
Përtej rivaliteteve të tyre, takimi i Shenzhenit ngre një çështje më të gjerë për të ardhmen e rendit ndërkombëtar: çfarë hapësire do të kenë shtetet e vogla dhe të mesme në një sistem ku vendimmarrja strategjike përqendrohet gjithnjë e më shumë te marrëdhëniet ndërmjet fuqive të mëdha?
Për këto shtete, e drejta ndërkombëtare dhe institucionet shumëpalëshe mbeten instrumente thelbësore për të mbrojtur sovranitetin, interesat afatgjata dhe hapësirën e tyre të veprimit.
Në fund të fundit, diplomacia e iniciativës përfaqëson një formë më të sofistikuar të ushtrimit të fuqisë, në të cilën ndikimi fillon me krijimin e agjendës dhe synon të përfundojë me formësimin e rregullave të sistemit ndërkombëtar.
Për Kinën, sfida mbetet shndërrimi i rolit të saj si nismëtare e dialogut në ndikim real mbi institucionet, normat dhe proceset e vendimmarrjes globale.
Takimi i Shenzhenit i dha Xi Jinpingut mundësinë të demonstrojë se Kina mund të jetë një qendër e rëndësishme e diplomacisë globale. Por organizimi i dialogut është vetëm fillimi. Pesha e vërtetë e diplomacisë së iniciativës do të matet nga aftësia për ta shndërruar këtë avantazh diplomatik në ndikim konkret dhe të qëndrueshëm mbi rendin ndërkombëtar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.