Te ndryshme

“Dita e Verës” dhe “Festa Kombëtare e Bullgarisë” u festuan në Korçë

Muaji mars, sapo u mbyll. Marsi përkonte me “Ditën e Verës”, lajmëtarja e pranverës, e çeljes së luleve dhe e gjallërimit të natyrës. Këtë fillim muaji, këtë fillim stine, të mbarë,  Konsullata e Nderit e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, vendosi ta organizojë në Korçë, në bashkëpunim me Universitetin “Fan S.Noli” dhe shoqatën “Për miqësi Bullgari-Shqipëri”, po në Korçë. Në mesditën e datës 1 mars 2016, në mjediset e Universitetit, u zhvillua aktiviteti i përbashkët me rastin e dy festave të popullit bullgar: 1 mars, “Dita e Verës” dhe 3 mars, Festa Kombëtare e Bullgarisë, ku më 3 mars të vitit 1878, 138 vite më parë, Traktati i Paqes në Shën Stefano i dha fund sundimit pesë shekullor turk mbi trojet bullgare. Të dyja këto festa kanë të përbashkëtën e vet me popullin shqiptar: “Dita e Verës” festohet edhe në Shqipëri dhe Pavarësinë e vet populli shqiptar e siguroj duke u çliruar nga i njëjti pushtues otoman.

cNë këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Bullgari në parlamentin shqiptar dhe nënkryetar i Parlamentit, njëkosisht deputet i qarkut të Korçës, z.Edmond Spaho; Kryetarja e Komisionit të Jashtëm në parlamentin shqiptar znj.Arta Dade, Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, z.Dirmitar Arnaudov; Rektori i Universitetit “Fan S.Noli”, Prof.As.Dr.z.Gjergji Mero, Konsulli i Nderit i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, z.Selim Hoxhaj, kryetari i shoqatës “Për miqësi Bullgari-Shqipëri” z.Dhimitër Pandofski; Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë, z.Jorgos Alemanos, përfaqësues të pushtetit vendor, petagogë, komunitetit fetar, studentë, etj.

Fjalën e hapjes e mbajti  Konsulli i Nderit i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, z.Selim Hoxhaj. Prof.Ass.Dr.Gjergji Mero, rektori i Universitetit “Fan S.Noli” foli për marrëdhëniet e këtij universiteti me ato bullgare. Për rëndësinë e këtyre festave dhe marrëdhëniet midis dy popujve foli ambasadori,  z.Dirmitar Arnaudov. Arta Dade u ndal në bashkëpunimin midis këtyre dy vendeve në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Kurse z.Edmond Spaho, kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Bullgari në parlamentin shqiptar dhe nënkryetar i Parlamentit u ndal në marrëdhëniet dhe shkëmbimin e përvojës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Folësit evidentuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis popullit bullgar dhe popullit shqiptar, lidhjet e tyre historike, mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë popullit shqiptar që me njohjen Pavarësisë në vitin 1912 dhe deri me njohjen e shtetit të Kosovës, 8 vitet më parë. Njëkosisht Bullgaria ka përkrahur  integrimin e Shqipërisë në NATO, Bashkimin Europian, etj.

1Marrëdhëniet ekonomike e tregtare midisë Shqipërisë dhe Bullgarisë kanë ardhur duke u rritur ku në vitin 2015 eksportet nga Shqipëria në Bullgari arritën 3.1 miliardë lekë, kurse importet nga Bullgaria ishin 7.4 miliardë lekë, niveli me i lartë për këta dy tregues,  në 23 vitet e fundit, pra që nga viti 1993 e këtej. Midis dy vendeve janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje në fushën ekonomike që përbëjnë kuadrin ligjor për bashkëpunimin ekonomik. Në Shqipëri ushtrojnë aktivitet një sërë biznesesh bullgare si në fushën bankare, ndërtim, tregti, etj. Në mënyrë modeste edhe biznesmenë nga Shqipëria janë prezentë me aktivitetin e tyre në Bullgari.

Përveç bashkëpunimit dy palësh, Shqipëria dhe Bullgaria bashkëpunojnë edhe në kuadër rajonal dhe ndërkombëtar. Në nivel rajonal përmëndim nisma si Bashkëpunimi i Europës Juglindore (SEECP), Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, kurse në kuadër ndërkombëtar, përmëndim bashëpunimin në kuadër të OKB-së, NATO-s, BE-së, OSBE-es, etj.

3Aktiviteti i zhvilluar në Universitetin “Fan S.Noli”, Korçë është i lidhur edhe me faktin që Korça është  një nga vatrat e dijes sonë kombëtare ku është hapur shkolla e parë shqipe, por edhe sepse disa figura të historisë sonë kombëtare të cilët kanë lindur në Korçë një pjesë të aktivitetit të tyre patriotik e atdhetar e kane ushtruar ne Bullgari duke gjetur aty mikpritjen dhe mbeshtetjen për punët e tyre atdhetare e patriotike për  kombin shqiptar i cili vazhdonte te ishte i robëruar. Ndër figurat e shquara të cilët kanë kryer aktivitet patriotik në Bullgari në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare përmëndim Themistokli Germenji, emrin e të cilit mban një gjimnaz në Korçë nga më me reputacionet në vendin tonë, Pandeli Caci  Thimi Mitko, etj.

Pas këtij aktiviteti, në drekën e shtruar për të pranishmit, z.Dhimitër Pandofski, Kryetari i shoqatës ““Për miqësi Bullgari-Shqipëri”, e krijuar ne vitin 2015, foli për rolin e kësaj shoqate e cila është jo-politike dhe jo-fitim prurëse dhe shpërndua disa çertifikata  mirënjohje. Ndërsa më 3 mars 2016, ambasada e Bullgarisë në Shqipëri, organizoi në Hotel “Rogner” një mbrëmje festive. D.K.

 

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button