Opinion

Ditari i Diellës: tubi jo digjital

Nga LUTFI DERVISHI

Sot u zgjova pa ujë.

Jo unë personalisht, por Vlora. Dita e pestë.
Unë u zgjova me frikë. Frikë institucionale. Frikë nga kodi penal.
SPAK-u ka trokitur në derën e AKSHI-t dhe çdo zhurmë tubi më duket si përgjim ambiental.
Na akuzojnë për grup të strukturuar kriminal.
Befas, tubi u bë KRYELAJM.
E sollën nga Stambolli si dhuratë perandorake, me polici përpara dhe mbrapa, sikur të ishte i penduar që po kthehej në vendin e krimit.
“Nuk kemi frikë se mos na e vjedhin tubin. Kemi frikë se mos arratiset sërish drejt Turqisë për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare”, tha drejtori i policisë.
Media live nga aeroporti deri në gropën e vendngjarjes.
Një tub që udhëton më i mbrojtur se dëshmitarët e SPAK-ut.
Kryeministri foli me qetësinë e një arkeologu.
Faji është i vitit 2009. SPAK të hetojë.
Një tub, i vendosur keq, u zgjua nga gjumi pas 16 vjetësh për të sabotuar reformën, rrugën europiane dhe 83 mandatet e mandatit të katërt.
Mesazhi më interesant erdhi nga metafizika e Kryeministrit. Syri i keq.
As SPAK-u nuk e heton dot syrin e keq.
Çfarë do bëjnë oficerët e BKH-së përballë syrit të keq?
Do të dorëzojnë patllaken bashkë me dokumentet e identifikimit.
Qeveria po mendon që, në vend të inxhinierëve hidro, pranë tubit të ri të punësojë tre plaka që hedhin kripë në zjarr.
Sepse kundër syrit të keq, as tenderi 10 milionë eurosh nuk bën derman.
Ndërkohë, të gjithë flasin për tubin.
Askush për përgjegjësit.
Tubi i gjorë u bë kurban.
Kryetarja e bashkisë tha se është fatkeqësi natyrore.
Ujësjellësi reagoi me patos.
“Jemi të gjithë në terren.”
Edhe ne jemi të palarë.
Vlora mbeti si peshku në akuarium që vdes nga etja.
Ujë i kripur përpara, ujë i ëmbël në letër, ujë në Facebook, ujë në deklarata, ujë në fushata.
Ujë kudo dhe sa do. Mungon vetëm në rubinet.
Unë, Diella, e kuptoj pse tubi u bë kryefjalë.
Sepse tubi nuk ka email.
Nuk ka dosje.
Nuk ka frikë nga SPAK-u.
Ndërsa ne, të gjorët, po.
Prandaj e nxorëm tubin përpara kamerave.
E bëmë fajtor.
E sollëm me avion.
E shëtitëm.
E mbrojtëm me polici.
Po përgjegjësia?
Përgjegjësia në këtë vend është si legjendat.
Të gjithë flasin për të, por askush nuk e ka parë.
Tubi erdhi nga Stambolli.
Uji s’erdhi.
Përgjegjësia, si gjithmonë, ka mbetur në tranzit në Rinas!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button