Divjakë, Kodheli e Braçe inspektojnë rindërtimin e urës në Biçukas
Në Biçukas të Divjakës është ndërtuar brenda tre ditëve nga Ministria e Mbrojtjes ura tip bejli, e cila ishte shembur tërësisht nga përmbytjet e 7 janarit në zonën e Çermës.
Ura e Biçukasit u shërben rreth 2.000 banorëve dhe është e vetmja lidhje e 6 fshatrave të Tërbufit dhe Grabjanit me akset nacionale.
Për të parë nga afër funksionimin e urës kanë qenë të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe deputeti i zonës, Erjon Braçe.
Në fjalën e saj, Kodheli u shpreh se forcat ushtarake do të jenë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar banorët për nevojat jetike të tyre, siç ishte rasti i ndërhyrjes në Çërmë për izolimin e argjinaturës së çarë.
Ndërsa Braçe vuri në dukje përkushtimin e jashtëzakonshem të Forcave të Armatosura, por edhe funksionimin e ndarjes territoriale.
Ai tha se, “ndarja e re territoriale dha prova se një menaxhim i të gjitha strukturave bashkiake kaloi me sukses një ndër provat më të vështira, situaten e përmbytjeve”.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi falenderoi ministren Kodheli për gatishmërinë e treguar për kapërcimin e situatave të tilla.
Banorët e Biçukasit thonë se, ura u nevojitet për nxjerrjen në treg të prodhimeve bujqësore dhe për lëvizjen e arsimtarëve e nxënësve të shkollave.