Doganat e Trumpit: Ekonomia gjermane reagon me kritika
Presidenti Donald Trump e nënshkroi dekretin për dogana ndëshkuese për çelikun dhe aluminin. Reagimet ndaj këtij hapi të Trumpit janë kritike në të gjithë botën, edhe në Gjermani.
Të enjten (08.03) presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi dekretin për doganat ndëshkuese ndaj çelikut dhe aluminit. Rregullorja e re hyn në fuqi brenda 15 ditësh. Në të gjithë botën reagimet kanë qenë negative. Ekonomia gjermane po ashtu ka reaguar me kritika ndaj këtij vendimi, duke kërkuar njëkohësisht vetëpërmbajtje. Kreu i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, (DIHK) Martin Wansleben deklaroi në Berlin, se SHBA me këtë hap dëmtojnë jo vetëm ekonominë botërore, por edhe veten.
BE duhet të ngrejë padi në Organizatën Botërore të Tregtisë, kërkoi Wansleben. Në të njëjtën kohë, duhet që në bashkëpunim europian në bazë të rregullave të OBT të jepet “një sinjal europian për tregtinë e lirë”. Një shkallëzim i doganave europiane “duhet penguar në çdo rast”, ka thënë kreu i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë.
“Marrëdhëniet tona do ta tejkalojnë këtë irritim”
Doganat amerikane do të preknin ndjeshëm ekonominë gjermane. Presidenti i Punëdhënësve gjermane, Ingo Kramer për gazetën gjermane “Rhein Neckar Zeitung” ka thënë se në “kohët e konkurrencës së globalizuar dhe digjitalizuar”, izolimi është “një rrugë absolutisht e gabuar”. Ndërsa eurodeputeti për politikën e Jashtme në BE, David McAllister bëri fjalë për një “sprovë” të marrëdhënieve transatlantike. Kundrejt grupit mediatik “Funkegruppe” ai megjithatë kërkoi reagim të mençur. “Ne duhet të veprojmë tani me kujdes dhe të bëjmë gjithçka për të mënjanuar edhe shkallëzimin e grindjes tregtare e aq më shumë një luftë tregtare.” McAllister u shpreh me besim se “marrëdhëniet tona do ta tejkalojnë këtë irritim.”
Trump i sheh vendet europiane si partnerë jo të drejtë. Ai dha shenja se do të jetë i hapur, nëse BE është e gatshme për të negociuar. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi reagoi i shokuar. “Nëse dikush ngre dogana kundër aleatëve, atëherë shtrohet pyetja, kush është armiku?”