Dokumenti i Policisë së Shtetit: Trafikanti i drogës u fsheh në makinën e deputetit Mark Frroku
Një dokument i Policisë së Shtetit i siguruar nga ABC News, tregon se një person i shpallur në kërkim, i dyshuar si koka e trafikut të drogës gjatë operacionit “Viluni”, i ka shpëtuar arrestimit mesnatën e datës 1 dhe 2 tetor 2014 duke u fshehur në makinën e deputetit Mark Frroku. Bëhet fjalë për Bardhok Pllanaj, i cili rezulton në kërkim prej policisë shqiptare. Dokumenti ngre hije dyshimi mbi pastërtinë e veprimeve të policisë dhe prokurorisë.Sorry, there are no polls available at the moment.
Policia shqiptare ka patur dijeni për këtë fakt dhe ka heshtur. Prej saj nuk është bërë publik emri i deputetit të mazhorancës, në makinën e të cilit ishte fshehur Pllanaj. Jo vetëm kaq por duke qenë në dijeni që prej më shumë se 5 muajsh ai nuk është thirrur për t’u pyetur asnjëherë nga policia dhe nga prokuroria. Ky qëndrim e kompromenton rëndë procesin dhe ngre pikëpyetje edhe për dëshminë e deputetit Frroku në çështjen Doshi. Aludimet janë se Frroku duke qenë nën presionin e ngjarjes së tetorit të vitit të kaluar, mund të ketë ndryshuar dëshminë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Deputeti socialist Doshi ka deklaruar disa herë se për atentatin që do të kryhej ndaj tij ishte njoftuar për herë të parë prej deputetit Frroku. Sipas Doshit ka qenë Frroku, ai që e ka prezantuar edhe me Durim Bamin personin i cili kishte marrë porosinë për të kryer vrasjen e tij. Nga hetimet e Prokurorisë se Krimeve të Rënda Mark Frroku vazhdon t’i qëndroje dëshmisë se ai nuk ka patur dhe nuk ka lidhje me deklaratat e deputetit Doshi.
Në këtë procesverbal, duket qartë se grupi i operacioneve speciale në Policinë e Shtetit, me autorizim të Prokurorisë për Krime të Rënda, po vëzhgonte prej kohësh të dyshuarin Pllanaj. Sipas raportit të dorëzuar nga agjentët e vëzhgimit, thuhet se Pllanaj gjatë gjithë ditës së 1 tetorit 2014 ishte nën vëzhgim, ku përshkruhen me detaje lëvizjet e tij, makinat që ka ndërruar si dhe lokalet që ka frekuentuar.
Vetëm në darkë, referuar këtij procesverbali, i dyshuari është afruar në lokalin Antika tek Shallvaret me makinën e deputetit Mark Frroku. Rreth orës 1 pas mesnate të datës 2 tetor, makina e deputeti Frroku është nisur në drejtim të Laprakës, ku policia, nga frika e largimit të personit të shpallur në kërkim, organizoi një postbllok në Kamzë, pranë Bulavardit Blu. Në momentin që makina afrohet, policia e ndalon atë, por nuk mundet të hapë dyert që ishin të bllokuara nga brenda.
” …Rreth dy minuta automjeti ka qëndruar pa lëvizur dhe dyert janë konstatuar nga ana jonë të mbyllura, më pas nga pjesa e pasme e automjetit është ulur xhami i krahut të pasagjerit dhe një person rreth moshës 40- 45 vjeç i veshur me kostum ngjyrë blu e errët është prezantuar si deputet i parlamentit të Shqipërisë me emrin Mark Frroku, pas kontaktit vizual i njohur nga ana jonë, ai gjithashtu ka sqaruar shprehimisht ndër te tjera se: Automjeti mund të kontrollohet vetëm me vendim të parlamentit pasi unë jam deputet, automjeti është në pronësinë time”, shkruhet në procesverbalin e policisë, të nënshkruar nga nëntë persona, të cilët më pas e kanë lënë të lirë makinën bashkë me pasagjerët e saj.
Nga ana e policisë i është bërë e ditur deputetit Frroku se personi që ndodhet në makinë duhet të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë, por pas kundërshtisë së deputetit Frroku, agjentët e vëzhgimit kanë komunikuar me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pemën duke e vënë në dijeni për kundërshtimin e deputetit Frroku. I gjithë ky debat ka zgjatur për më shumë se 20 minuta dhe më pas agjentët janë larguar duke lënën të lirë Bardhok Pllanajn, i cili që prej asaj dite rezulton në kërkim në pikat e kalimit kufitar.
Policia e ka mbajtur të fshehur këtë ngjarje dhe vetë deputeti Frroku në deklaratat e tij në media ka mohuar të jetë ndaluar ndonjëherë nga policia. Referuar hetimeve të prokurorisë për Krime të Rënda, për operacionin e “Vilunit” janë arrestuar 7 persona dhe është bllokuar një skaf me rreth 800 kg hashash nga policia malazeze pas njoftimit nga pala shqiptare.
Ky skandal vë në pikëpyetje tashmë gjithë hetimin e prokurorisë shqiptare mbi akuzat e Tom Doshit. A mund të thotë Mark Frroku të vërtetën në dëshminë e tij kur ai vetë figuron në dosjet e policisë si një person që ka strehuar një të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge? Pse nuk e ka thirrur prokuroria Frrokun të pyetet për këtë rast? A mund të jetë përdorur ky rast si mjet presioni ndaj deputetit të mazhorancës? Të gjitha këto pyetje shtrohen sot pas zbulimit të këtij skandali, për të cilin nuk ka guxuar të flasë as ministri i Brendshëm dhe as kryeministri. Të gjithë e kanë ditur dhe e kanë mbajtur të fshehur për një arsye të caktuar.