Ekonomia

Dokumenti në APP, afër këndit të lojërave do të jetë edhe një “Grand Kafe”

ccKëndi i lojërave që pritet të ngrihet në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, ka nisur të marrë “jetë” një muaj para zgjedhjeve lokale të qershorit 2015. Sipas disa dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, në maj të vitit të kaluar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kontraktuar si konsulent disa operatorë privatë, me qëllim që të përgatisnin masterplanin e parkut të liqenit dhe pesë projekteve pilot. Në relacionin arkitektonik, që ndodhet në Agjencinë e Prokurimeve Publike, është i detajuar ngritja e këtij këndi, që është publikuar edhe nga Bashkia e Tiranës. Ndërkohë, në këtë dokument që disponon gazeta, ndodhet edhe një “njollë e zezë”, e cila shpjegohet në relacion se është “Grand Kafe”. Ky vend për të rriturit, shkruajnë inxhinierët, është një hapësirë e rezervuar për prindërit për të pirë kafe apo për të lexuar gazeta.

Dokumenti - Në rreth, “njolla e zezë” ku është parashikuar të ngrihet edhe “Grand Kafe”. Sipas relacionit arkitektonik, në të do të qëndrojnë prindërit për të pirë kafe apo për të lexuar gazeta
Dokumenti – Në rreth, “njolla e zezë” ku është parashikuar të ngrihet edhe “Grand Kafe”. Sipas relacionit arkitektonik, në të do të qëndrojnë prindërit për të pirë kafe apo për të lexuar gazeta

Dokumenti i shtatorit

Gazeta ka bërë një hulumtim të dokumenteve të paraqitura për ngritjen e këtij këndi lojërash, i cili është kontestuar së fundmi nga shoqëria civile dhe opozita. Madje janë bërë edhe protesta dhe ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë. Gazeta “Shqip” ka siguruar një dokument që mban datën 25 shtator 2015. Shoqëria private “Bolles + Wilson”, ka bërë edhe një relacion arkitektonik, i cili u është bashkëlidhur dokumenteve të lidhjes së kontratës me firmat që po e ndërtojnë këndin apo të dhënave të tjera. Me interes është ngritja e këndit të lojërave për fëmijë. “Është menduar të jetë një hapësirë pothuajse për të gjitha moshat duke shfrytëzuar në maksimum pjerrësinë e terrenit”, shkruhet në relacion, që më pas jep detaje të tjera. “Zona e këndit të lojërave, sipas masterplanit, është paralel dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me një hapësirë tjetër të quajtur ‘Grand Kafe’, një hapësirë kjo e rezervuar për prindërit, të cilët duke pirë një kafe ose duke lexuar një gazetë kanë në kontroll fëmijët e tyre”, vijon dokumenti. Sipas saj, në majën e kodrës, tarraca e “Grand Kafe” është e pajisur me kioskë akulloreje, gazete, platformë vallëzimi, pikë informacioni në lidhje me parkun, si dhe një zonë për ndihmën e shpejtë. Zona e përzgjedhur për këndin e lojërave, në vazhdimësi të propozimeve në master plan lidhet me një shëtitore, e cila zgjatet drejt liqenit, ku është vendosur klubi i vozitjes dhe një pishinë publike lundruese brenda në liqen, të cilat mbulohen nga një platformë dritash e quajtur “Tufa e xixëllonjave”.

Si do të jetë këndi

Në dokument, këndi i lojërave është menduar të jetë si një platformë lojërash dhe aktivitetesh për të gjitha grupmoshat e fëmijëve, nga mosha 1 vjeç deri në moshën 14 vjeç, pse jo edhe më të rritur. Në këtë platformë aktivitetesh, lojërat e përzgjedhura për çdo moshë përcaktojnë edhe zonat e grupmoshave të ndryshme të kësaj platforme. Sipas relacionit arkitektonik, një platformë e vetme është e ndarë në disa zona, të ndara nga njëra-tjetra, me shkallë, rampa dhe nëpërmjet materialeve. Çdo zonë duhet të jetë e pajisur me tabela druri që tregojnë grupmoshën të cilës kjo zonë i përket. “Këndi i lojërave është konceptuar të jetë një teatër, një skenë e vërtetë ku vetë fëmijët janë aktorët. Nuk ka skenarë dhe regjisorë. Performanca quhet ‘LOJË’ dhe përbërësit përcaktohen nga imagjinata e fëmijëve. Këndi i lojërave është konceptuar si një aventurë, një udhëtim në kohë, një udhëtim drejt fëmijërisë”, thuhet në dokument. Sipas tij, këndi është konceptuar me një shëtitore, e cila rritet dhe zvogëlohet në kuotë duke ndjekur pjerrësinë e kodrës. Nga kjo shëtitore ushqehen të gjitha zonat e ndara për fëmijët sipas grupmoshave të ndryshme.

Sa do të kushtojë

Më 5 janar të këtij viti, bashkia ka shpallur fitues për ndërtimin e këndit të lojërave bashkimin e operatorëve ekonomikë “Star Tek” shpk & “Riviera” shpk & “Kaleshi” shpk. Fondi limit për këtë ndërtim ka qenë rreth 680 milionë lekë të vjetra. Burimi i financimit është në mbështetje të vendimit të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë gjashtë muaj kalendarike, duke nisur nga data e lidhjes së kontratës. Ndërkohë, fituesit kanë ofruar 652 milionë lekë për ndërtimin e këtij këndi. Një firmë tjetër është skualifikuar, ndërsa një tjetër nuk ka dhënë asnjë ofertë. Sipas bashkisë, asnjë operator ekonomik që mori pjesë në tender nuk është skualifikuar nga gara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button