Bota

Dorëhiqet drejtoresha e Komunikimit, këshilltarja më jetëgjatë e presidentit Trump

Hope Hicks, drejtoresha e Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë dhe njëra prej këshilltareve më jetëgjata të presidentit Trump, ka njoftuar se do të dorëhiqet. Lajmi konfirmohet nga administrata “Trump”.
Ish-modelja 29-vjeçare ka qenë në krah të presidentit amerikan prej vitesh. Ajo raportohet t’u ketë thënë kolegëve se mendonte se kishte përmbushur gjithçka mundej në detyrën e saj në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk kam fjalë për të shprehur siç duhet mirënjohjen time për presidentin Trump. I uroj presidentit dhe administratës së tij gjithë të mirat, teksa ai udhëheq vendin tonë”, shkruan ajo në një deklaratë të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë, ku nuk thuhet gjithsesi se çfarë ka planifikuar të bëjë ajo në të ardhmen.

Njoftimi i saj vjen një ditë pasi ajo refuzoi t’u përgjigjej një sërë pyetjesh gjatë një ballafaqimi me hetuesit e Dhomës së Përfaqësuesve për çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Më herët gjatë këtij muaji, ajo u përfshi në vorbullën që rrethoi ish-sekretarin e stafit, Rob Porter, me të cilin ajo kishte një marrëdhënie, por edhe ky i fundit dha dorëheqjen pas pretendimeve për abuzime fizike dhe verbale nga dy ish-bashkëshortet e saj.

Gjatë fushatës zgjedhore, Hicks shërbeu si sekretare për shtypin. Ajo e mori detyrën e kreut të Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë gjatë muajit gusht të vitit të kaluar, pas shkarkimit të papritur të Anthony Scaramuccit.

“Hope është një njeri i mrekullueshëm dhe ka bërë një punë të madhe përgjatë 3 viteve të fundit. Do të më mungojë prania e saj, por e kuptova plotësisht kur më kërkoi të ndjekë një tjetër drejtim”, shkruan Trump në një deklaratë kushtuar saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button