DPA në Prishtinë, nis zbatimi i marrëveshjes me Institutin e Historisë së Kosovës
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Instituti i Historisë së Kosovës “Ali Hadri” nisin zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, me fokus shfrytëzimin e dokumenteve arkivore, botimet shkencore dhe pasurimin e bibliotekave.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, ishte personalisht sot në Prishtinë, ku u takua me drejtuesen e Institutit të Historisë së Kosovës “Ali Hadri”, prof. dr. Teuta Shala-Peli. Marrëveshja mes dy institucioneve, e nënshkruar në prill të vitit 2026, synon të nxisë kërkimin shkencor në fushën e albanologjisë përmes qasjes në fondet arkivore. Përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën angazhimin për të nisur shfrytëzimin e dokumenteve arkivore, me synim botimin e studimeve cilësore dhe pasurimin e ndërsjellë të bibliotekave.
DPA-ja ka nënshkruar edhe marrëveshje të tjera bashkëpunimi me institucione arkivore dhe kërkimore në rajon dhe më gjerë, ndër të cilat Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Arkivat Shtetërore të Malit të Zi, Shërbimi Shtetëror Arkivor i Ukrainës, Agjencia Kombëtare e Arkivave të Moldavisë dhe Arkivi i Bosnjë-Hercegovinës.
Sipas DPA-së, këto partneritete synojnë forcimin e bashkëpunimit institucional, si dhe thellojnë dijet e përvojat për kërkime historike e shkencore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.